RTSH 24 Live

Aktualitet

Sistemi i drejtësisë/ Nikolla: Mori fund miti i pandëshkueshmërisë! Metani: Pavarësia e magjistratëve s'duhet marrë e mirëqenë

24/06/2022

Sistemi i drejtësisë/ Nikolla: Mori fund miti i pandëshkueshmërisë! Metani: Pavarësia e magjistratëve s'duhet marrë e mirëqenë

Drejtues dhe përfaqësues të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë nga vendet e Bashkimit Evropian janë mbledhur sot në Tiranë me ftesë të ILD, për konferencën “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve” e cila do të vijojë edhe më 25 qershor.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla në fjalën e saj ka deklaruar se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm pasi sipas saj, sot askush nuk mund të jetë mbi drejtësinë. Miti i mbretërimit të pandëshkueshmërisë, theksoi Nikolla, ka marrë fund.

Një prej miteve ishte mbretërimi i pandëshkueshmërisë që dukej se ishte shndërruar në një antikulturë të sistemit të drejtësisë. Sot askush nuk është mbi të drejtën dhe drejtësinë dhe askush nuk mund ti shpëtojë ndëshkimit nëse e meriton. Kjo është kaq e vërtetë sa që po ndodh në sytë e gjithë shqiptarëve. Sistemit po i zihej fryma nga monopoli i një kaste drejtuesish, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar me mbështetjen e një kaste politikanësh gjithashtu të korruptuar.

Politika e drejtësia po sundonin bashkarisht me forma despotike. Sot pavarësia reale e gjyqtarëve e prokurorëve po konsolidohet paralel me varësinë e tyre prej kushtetutës, ligjeve. Sistemi i drejtësisë kishte arritur në atë pikë sa nuk e fshihte varësinë e vet në aspektet politike dhe financiare. Sot fijet që e lidhin sistemin me format korruptive të mësipërme janë këputur e po këputen dita ditës. Pushteti gjyqësor po fuqizohet si një pushtet i pavarur”, tha Nikolla.

Ndërsa kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani teksa rrëfeu se ideja e aktivitetit lindi pas diskutimeve me homologun rumun Lucian Netoroju, u shpreh se pavarësia e magjistratëve nuk duhet marrë si e mirëqenë. Metani deklaroi se Shqipëria ka kryer një reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë e cila është përshëndetur nga BE dhe SHBA.

Të dy ndamë të njëjtin qëndrim: pavarësisht dallimit dhe diversitetit të kulturave tona politike,  juridike, sociale apo ekonomike, historia në Evropë dhe jashtë saj po tregon se pavarësia e magjistratëve nuk duhet marrë si e mirëqenë, por mbetet një çështje që i përket të gjitha vendeve.  Ky është standard i një dimensioni të përbashkët të shoqërive tona. Ky është një standard ndërkombëtar. Sot të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e kësaj pavarësie, por nga ana tjetër edhe rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së organeve të sistemit të drejtësisë. Të dyja nuk mund të ecin, përveç se bashkë. Sa më i përgjegjshëm një magjistrat, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e veta. Sa më i pavarur magjistrati, aq me demokratikisht ecën shoqëria. Të dyja këto standarde, cilësia e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve janë prioritet i të gjitha vendeve. Krijimi apo konsolidimi i shtetit të së drejtës nuk është një proces i lehtë. Shqipëria ka kryer një reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë. Kjo reformë u mbështet fort në çdo kuptim nga partnerë të vyer si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë sfida e zhvillimit të kësaj reforme është përgjegjësia e aktorëve të drejtësisë”, u shpreh Metani.

Kjo konferencë ndërkombëtare është organizuar nga Rrjeti Europian i Shërbimeve të Drejtësisë (RESIJ) dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në bashkëpunim me CEPEJ (Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri, SEJ III), e me mbështetjen e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

/rtsh.al/