RTSH 24 Live

Kronika

Siguria rrugore, arrestohen 35 drejtues mjetesh gjatë fundjavës

20/09/2021

Siguria rrugore, arrestohen 35 drejtues mjetesh gjatë fundjavës

Policia e Shtetit arrestoi gjatë fundjavës 35 drejtues mjetesh, nga të cilët 18 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 17 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Po ashtu, nga Policia Rrugore u pezulluan 119 leje drejtimi, nga këto 52 për shpejtësi tej normave të lejuara, 62 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 5 për qarkullim në sens të kundërt.

Policia ndëshkoi me masë administrative 3456 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore. Efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese, në rrugën “Kont Leopold Bertold”, ndaluan një drejtues mjeti që vazhdonte lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalonte atë. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi F. H., 31 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një kartëmonedhë të prerjes 5000 lekë, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer.

Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore ka konstatuar me radar, në rrugën interurbane Thumanë-Laç, një automjet tip “Land Rover”, që qarkullonte me shpejtësi 194 km/h. Drejtuesi i mjetit, shtetasi F. T. nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Dibër, në hyrje të qytetit të Burrelit. Drejtuesi i automjetit është ndëshkuar me masë administrative 24.000 lekë, pezullim të lejes së drejtimit për 1 vit dhe zbritje 13 pikë nga leja e drejtimit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.

Në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë, nga Korça në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane, ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparate fotografike.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.