RTSH 24 Live

Ekonomi

Si mund të rriten pensionet në Shqipëri?

21/09/2021

Si mund të rriten pensionet në Shqipëri?

Në kushtet kur pagesat e pensioneve nuk sigurojnë as mbijetesën për pensionistët, qeveritë nuk kanë hapësira për të manovruar për përmirësimin e situatës. Skema publike karakterizohet nga deficiti i lartë, për shkak se shpenzimet janë më të larta se të ardhurat nga kontributet. Situata u përkeqësua në vitin 2020.

Deficiti i skemës së pensioneve shënoi 50,6 miliardë lekë, me zgjerim vjetor rreth 8%. Përveç kontributeve, shqiptarët paguan nga taksat e tyre 411 milionë euro për të përballuar shpenzimet e skemës së pensioneve. Në total, fatura për pagesën e pensioneve shënoi 134 miliardë lekë, ose rreth 1,1 miliardë euro, duke qënë zëri më i madh i shpenzimeve buxhetore. Ato zunë 25% të shpenzimeve totale buxhetore prej 536 miliardë lekësh. Ndërkohë që masa e kontributeve në 21.6% është nga më të lartat në rajon dhe nuk ka hapësira për rritjen. 

Po a ka rrugë të tjera ku mund të sigurohen të ardhura për të rritur pensionet?
Televizioni Shqiptar, duke iu referuar të dhënave publike, analizon se aktualisht tatohen progresivisht vetëm të ardhurat nga puna; tatimi mbi fitimet e të kompanive VIP është i sheshtë dhe i ulët. Kështu kompania më e madhe private në vend deklaron se fiton 1.1 Euro në 100 Euro xhiro, kompania më e madhe në shpërndarjen dhe tregtinë e mallrave, ushqimeve e pijeve deklaron fitim 3.6 Euro në 100 Euro xhiro, kompania që zotëron rrjetin më të madh të supermarketeve në vend, deklaron fitim 2.8 Euro në 100 Euro të xhiros, kompanitë më të mëdha të ndërtimit të rrugëve dhe të transportit rrugor e detar, deklarojnë fitim 5.3 Euro në 100 Euro të xhiros, kompanitë më të mëdha të shërbimeve spitalore private dhe farmaceutike, deklarojnë fitim 5.4 Euro në 100 Euro të xhiros, kompania më e madhe e furnizimit me inputet bujqësore etj, deklaron fitim 8.5 Euro në 100 Euro të xhiros, ndërsa kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend, deklaron fitim 7.1 Euro në 100 Euro të xhiros, por tatim fitimin prej vitesh e ka ZERO.

Një ekuilibër i ri në sistemin fiskal, sipas ekspertëve, dyfishon pa asnjë mëdyshje pensionet dhe lehtëson buxhetin nga barra e rëndë e subvencionit çdo vit të skemës së pensioneve publike.

Aktualisht vetëm 44.5 përqind e popullsisë me moshë 20–64 vjeç në Shqipëri kontribuojnë në Sistemin e Sigurimeve Shoqërore. Kur mbulimi kontributiv është në një nivel kaq të ulët, aplikimi i një parimi strikt kontributiv ndërmjet të pasurit të drejtë për përfitim dhe pagesës së kontributeve nënkupton që në afat gjatë më shumë se 55 përqind e personave të moshuar nuk do të kenë të drejtë për të pasur pensione nga kontributet. 

Arsyet kryesore për mbulim të ulët janë: pjesëmarrje relativisht e ulët në forcën e punës dhe papunësia e lartë, mungesa e rregjistrimit për shkak të informalitetit dhe raportimi më i ulët i pagës. 

Nëse nuk merret ndonjë veprim për të zgjeruar mbulimin, kostot e garantimit të sigurisë së të ardhurave për të moshuarit thjesht do të kalojnë nga sistemi kontributiv, në pensionin social të financuar nga buxheti i Shtetit.