RTSH 24 Live

Art

Shuhet Preka, ylli i humorit shkodran dhe atij shqiptar

04/09/2021

Shuhet Preka, ylli i humorit shkodran dhe atij shqiptar

Një nga yjet e humorit shkodran dhe atij shqiptar Paulin Preka, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare, njoftoi familja.  Ai mbylli sytë në Itali, ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.

Paulin Preka ka lindur në Shkodër në vitin 1935. Atje ai hodhi hapat e parë, i prirur nga talenti i tij për të shkruar biografinë e tij artistike, e cila vite më vonë do ta radhiste në brezin e artë të aktorëve që krijuan një plejadë të papërsëritshme.

Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative.

Në këtë kohë daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlersuan me çmim të parë.

Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës. Nën drejtimin e regjisorit të mirnjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka.

Në vitet e mëpasme Preka ishte aktor kryesor edhe në shumë shfaqje në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës dhe në skenën e Teatrit “Migjeni” një tempull legjendar i artit dhe i kulturës shqiptare.

Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtundeve gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”,,“Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj.

Paulin Preka largohet nga kjo jetë duke lënë të dëshpëruar familjen dhe miqtë e tij, por ai do të mbahet mend për humorin e tij të shkëlqyer që ja dhuroi publikut pa kursim.