RTSH 24 Live

Art

Shuhet Krajka, kompozitori i rinisë

02/03/2021

Shuhet Krajka, kompozitori i rinisë

Një ditë e dhimbshme për muzikën shqiptare. Një nga përfaqësuesit më të denjë të saj kompozitori i njohur Agim Krajka ka ndërruar jetë. Lajmin e ka bërë me dije vetë i biri, Ulis Krajka përmes një postimi në Facebook.
Krajka u lind në Kavajë në një familje me origjinë dibrane. 
Babai i tij ishte i pasionuar pas muzikës, dhe si amator luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashurinë dhe pasionin për muzikën dhe veçmas fizarmonikën ai përcolli edhe Agimit.  Në vitin 1963 Agimi fillon studimet për teori e kompozicion dhe pak vie më vonë kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre.
Veprimtaria muzikore e Agim Krajkës është shumë e gjerë. Ka shkruar muzikë për të gjithë duke lënë vulën e tij si me muzikën e lehtë, ashtu edhe në atë popullore, të përpunuar e orkestrale.
Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961.
Agim Krajka ka shkruar një cikël me përpunime këngësh popullore për kanto e piano, uverturë rinore, romancë për violinë e orkestër simfonike , suitë me valle popullore për orkestër simfonike, etj.
Muzikën e filmave “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Zonja nga fshati”, “Njësiti Gueril” etj. Muzikë skenike të baletit me një akt “Duarartët vigjëlentë” ekzekutuar nga TKOB në vitin 1981.
Përveç këtyre punimeve të mësipërme Krajka ka krijuar motivet e valleve kryesore të kulturës tonë popullore si: vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame, etj.
Për aktivitetin dhe kontributin e tij artistik është vlerësuar me çmime, urdhra e medalje.
Në vitin 2018 në koncertin që TKOBAP realizoi në 85 vjetorin e lindjes së kompozitorit Agim Krajka, Presidenti i Republikës e dekoroi mjeshtrin Krajka me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.