RTSH 24 Live

Art

Shuhet babai i muzikës për fëmijë

27/08/2021

Shuhet babai i muzikës për fëmijë

Muzika shqiptare ka marrë të premten një lajm të hidhur. Kujtim Alija një prej emrave me një kontribut të madh sidomos në muzikën për fëmijë është ndarë nga jeta në moshën 60 vjeçare. 
Alija kishte mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja. Pas diplomimit ka filluar punën në qytetin e Shkodrës ku ka organizuar dhe drejtuar koncerte e veprimtari të ndryshme artistike si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve. 
Që prej vitit 1991 Kujtim Alija vijoi me mjeshtëri drejtimin dhe oraganizimin e festivalit të fëmijëve në Shkodër të cilin nuk e ndali për asnjë vit pavarësisht vështiresive të ndryshme.
Alija  i rriti klasin këtij Festivali me zgjerimin e gjeografisë së tij, me pjesëmarrje të krijuesve dhe interpretuesve të vegjël nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në mënyrë të natyrshme, Festivali i Fëmijëve u bë Mbarëkombëtar (në vitin 1993) gjë që i jep një meritë tjetër shumë të rëndësishme Kujtim Alija.
Muzikanti shkodran ishtë ideatori, organizatori dhe themeluesi i veprimtarisë “Bilbilat e vegjël në Shkodër këndojnë”, veprimtari që konsiderohet si një ndër aktivitetet më të rëndësishme për fëmijë, që aktualisht organizohet për të 22-tin vit me radhë në Shkodër, si një ndër aktivitetet më të rëndësishme të botës fëminore, duke evidentuar nivelin e mirë të pjesëmarrësve. 
Kujtim Alija  bëri të mundur rifunksionimin e Bandës muzikore të qytetit, e cila për disa vite me radhë nuk ishte efektive. Pas një pune intensive me këtë trupë, dha me sukses premiera të vazhdueshme. 
Një ndër meritat e rëndësishme të dirigjentit dhe organizatorit Kujtim Alija është edhe rikthimi në Shkodër, pas 17 vitesh, i orkestrës simfonike, shumë e njohur ndër vite për profesionalizmin dhe aktivitetet e saj, jo vetëm në këtë qytet, por në gjithë vendin. Kujtim Aliaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Naim Frashëri” i Argjendtë dhe nga Bashkia e Shkodrës me titullin “Mirënjohje e Qytetit” dhe pas 32 festivaleve, në qershor 2017, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.