RTSH 24 Live

Ekonomi

Shtyhen afatet për sistemin e pagesave në euro dhe llogarinë bankare bazike

21/01/2021

Shtyhen afatet për sistemin e pagesave në euro dhe llogarinë bankare bazike

Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave vendosi muajin e kaluar të shtyjë afatet e parashikuara në planin e veprimit të Strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël. Shtyrja u propozua nga Banka e Shqipërisë, për shkak të angazhimeve të saj, si dhe nevojës për koordinim të afateve edhe me Planin Kombëtar të Integrimit. Rishikimi i afateve preku disa masa të rëndësishme, që sipas planit të mëparshëm të veprimit duhet të ishin realizuar që në vitin 2020. Por, kriza e papritur që shkaktoi pandemia e Covid-19 ndikoi edhe zbatimin e këtyre masave, duke i orientuar prioritetet institucionale në drejtime të tjera.

Mes masave më të rëndësishme që janë shtyrë për në vitin 2021 është vendimi për krijimin e një sistemi klerimi për transfertat kombëtare në euro, duke përfshirë operatorin dhe agjentin e shlyerjes.

Kjo është një çështje me rëndësi të konsiderueshme, duke pasur parasysh nivelin e lartë të euroizimit të ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar. Aktualisht, transfertat ndërbankare në euro kryhen nëpërmjet bankave të huaja korrespondente.

Kjo do të thotë se transferimi i eurove mes dy bankave shqiptare duhet detyrimisht të kalojë nga një bankë jashtë vendit, çka krijon kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë. Këto kosto shpesh nxisin edhe tërheqjet dhe veprimet cash në monedhën europiane. Në momentin që klientët kanë nevojë të lëvizë fondet nga një bankë në tjetrën, shpesh ata zgjedhin ta bëjnë këtë fizikisht, për të shmangur komisionet. Lëvizja e shumave cash krijon rreziqe operacionale për bankën, por edhe për vetë klientin.

Projekti i Bankës së Shqipërisë dhe i Shoqatës Shqiptare të Bankave është që të krijohet një sistem kombëtar për shlyerjen e këtyre pagesave. Me shumë të ngjarë, një sistem i tillë do të shfrytëzojë infrastrukturën ekzistuese të pagesave të Bankës së Shqipërisë, ku më i mundshmi është sistemi i shlyerjes së pagesave me vlerë të vogël (AECH). Bankat mund të përdorin llogarinë e tyre të rezervës së detyrueshme në Bankën e Shqipërisë (ose një llogari tjetër të posaçme në euro) si urë për kryerjen e transfertave kombëtare në euro të klientëve.

Ngritja e një sistemi të tillë do të mundësojë uljen e ndjeshme të komisioneve për transfertat kombëtare në euro. Për lekun, komisioni tavan është 500 lekë për transfertat në vlerë të vogël (deri 1.5 milionë lekë) dhe 1500 lekë për transfertat në shuma të mëdha, mbi 1.5 milionë lekë. Por, për transfertat përmes kanaleve elektronike aplikohen tarifa preferenciale. Deri në shumë e 20 mijë lekëve transfertat mund të kryhen pa komision, ndërsa si rregull transfertat elektronike mund të kenë një komision maksimalisht sa 50% e komisionit të aplikuar për transfertat në formë letër, që kryhen përmes sporteleve të bankave.

Një tjetër objektiv që është shtyrë në kohë është ridizenjimi i strukturës së çmimeve për llogaritë rrjedhëse, për të shtyrë më tepër individë dhe biznese të vogla të kenë llogari dhe të përdorin më gjerësisht tiparet e pagesave elektronike të këtyre llogarive (në vend të parasë fizikë). Objektivi i planit të veprimit është që, për aq sa është e mundur, shpenzimet paraprake për hapjen e një llogarie dhe tarifat e detyrueshme të mirëmbajtjes mujore ose vjetore të shmangen.

Zbatimi i këtij objektivi është shtyrë pas vitit 2022 dhe do të bëhet nëpërmjet miratimit të një ligji të posaçëm që reflekton direktivën e BE-së për aksesin në llogarinë bankare bazike, krahasueshmërinë e komisioneve të llogarive të pagesave dhe kalimin e tyre nga një bankë te tjetra. Llogaria bazike e pagesës shihet si një instrument i rëndësishëm për të rritur përdorimin e shërbimeve bankare nga individët dhe bizneset e vogla.