RTSH 24 Live

Ekonomi

Shtrenjtohet mielli, shiten më lirë orizi e sheqeri! Bordi heq çmimin tavan për vajin

10/06/2022

Shtrenjtohet mielli, shiten më lirë orizi e sheqeri! Bordi heq çmimin tavan për vajin

Nga sot bordi i transparencës ka vendosur çmime të reja të tregtimit të produkteve të shportës. Rritje të çmimit ka pësuar mielli që do të shitet me 90 lekë/kg nga 79 lekë/kg që ishte, ndërsa orizi kokërrgjatë dhe sheqeri kanë pësuar ulje.

Konkretisht nga 109 lekë/kg që ishte orizi kokërrgjatë do shitet 101 lekë/kg, ndërsa sheqeri do shitet 104 lekë/kg nga 121 lekë/kg që ishte.

Lidhur me vajin bordi ka vendosur të mos nxjerrë një çmim tavan për shkak se operatorë të ndryshëm kanë diferenca të ndjeshme në çmimet e blerjes në import të vajit të lulediellit.

Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte.

Bordi vendosi si vijon:

  1. Miratimin e marzheve tavan që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare. Çdo operator ekonomik i tregtimit të produkteve të mëposhtme, qoftë importues, tregtar me shumice, transportues apo tregtar me pakicë, është i lirë që të aplikojë marzhe bruto më të ulëta mbi këto produkteve, se ato që rezultojnë nga aplikimi i marzheve tavan të miratuara nga Bordi, duke ofruar çmime shitje në treg më të ulëta se ato që rezultojnë nga aplikimi i këtyre marzheve.
  2. Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg) miratohen marzhet tavan si më poshtë:
  3. Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të orizit kokërrgjatë është 11 lekë/kg mbi koston e importit plus detyrimet e paguara në doganë. Ky marzh mbulon shpenzimet operative të importuesit dhe ambalazhimit brenda vendit.
  4. Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë tek magazina e shitësit me pakicë është 2 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi.
  5. Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të orizit kokërrgjatë është 3 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas gërmës “b” të këtij paragrafi.
  6. Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:
  7. Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të sheqerit nga importuesi dhe ambalazhuesi është 15 lekë/kg (6 lekë/kg për importuesin dhe 9 lekë/kg për ambalazhuesin) mbi koston e importit plus detyrimet e paguara në doganë.
  8. Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë tek magazina e shitësit me pakicë është 2 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi.
  9. Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të produktit sheqer është 3 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas gërmës “b” të këtij paragrafi.
  10. Për artikullin miell masiv miratohen marzhet tavan si më poshtë:
  11. Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të miellit nga prodhuesi dhe ambalazhuesi llogaritet si vijon:
  12. Kostos së importit të grurit plus detyrimeve të paguara në doganë i shtohet mbi to 32% kosto e përpunimit dhe ambalazhimit nga grurë në produkt të gatshëm miell; dhe
  13. Mbi kostot e llogaritura sipas pikës së mësipërme “i”, shtojmë marzhin e tregtimit 2.5 lekë/kg për tregtarët e shumicës.
  14. Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë tek magazina e shitësit me pakicë është 2.5 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi.
  15. Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të produktit miell masiv është 2.5 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas gërmës “b” të këtij paragrafi.
  16. Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet tavan si mëposhtë:
  17. Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të vajit të lulediellit nga importuesi është 35 lekë/litër mbi koston e importit dhe detyrimet e paguara në doganë. Ky marzh mbulon shpenzimet operative, shpenzimet e inbotilimit, si dhe shpenzimet e ambalazhimit kur ky produkt importohet i hapur dhe ambalazhohet në vend.
  18. Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë tek magazina e shitësit me pakicë është 2 lekë/litër mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi.
  19. Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të produktit vaj luledielli është 4 lekë/litër mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas gërmës “b” të këtij paragrafi.

Pas analizimit të këtyre  marzheve  Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të  larta se:

101 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg)

104 lekë/kg për sheqerin (1 kg)

 90  lekë/kg për miellin masiv

 Për produktin  vaji i lulediellit,  për shkak  se operatorë të ndryshëm kanë diferenca të ndjeshme në çmimet e blerjes në import të vajit të lulediellit, nuk do të aplikohet kosto mesatare e ponderuar e zhdoganimeve dhe nuk do të përcaktohet çmim i unifikuar shitje nga çdo subjekt, por çdo importues i vajit të inbotiluar apo importues vaji që e inbotilon dhe e paketon në vend, do të aplikojë marzhin e lejuar mbi koston e importimit të produktit të tyre sipas deklaratës doganore për çdo parti importi sipas marzheve të parashikuara në paragrafin 5 të këtij vendimi.

/rtsh.al/