Qytetarët e Tiranës do t’i paguajnë një tatim më të lartë shtetit, nëse ata vendosin të shesin shtëpitë.
Vendimi i 27 Korrikut i qeverisë ndryshoi çmimet e referencës, mbi të cilin bëhët vlerësimi i taksës së pasurisë.
Deri në 54% do rriten çmimet e referencës për taksën e pronës për 32 zonat e kryeqytetit.
Ilir Hebovija, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve tha për RTSH se ky ndryshim është katastrofik për qytetarët.
“Pa diskutim i pret të gjithë qytetarët e Tiranës. Do të thotë që në një apartament pranë Fushës së Aviacionit që qytetari e ka disponuar prej vitesh ka një çmim reference prej 1.000 euro po themi, sot me ndryshimet e referencës ky çmim ndryshon nga 1.000 mund të shkojë në 2.000 euro. Sa do ta shesësh atë apartament, do të paguash tatimin për vlerën 2.000 euro metri katror. Ky ndryshim është katastrofik për qytetarët, sepse i bllokon thellësisht edhe në transaksione.” , thotë Ilir Hebovija, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve.
Sipas Hebovijës, industria e ndërtimit preket më thellë, pasi duhet të parapaguajë pranë Bashkisë Tiranë, të gjithë detyrimet që rrjedhin nga kjo rritje.
“Do të thotë stepje për sektorin e ndërtimit nga këto ndryshime, sepse industria e ndërtimit ka kontrata që kanë nisur dy vjet më parë dhe sot duhet ti nënshtrohet këtij ndryshimi, duke paguar ekstra, për atë çka ai ka paguar më përpara.”, thotë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve.
Hebovija tha se Ministria e Financave në qershor I ftoi të gjithë partnerët e sektorit të ndërtimit për të diskutuar ndryshimin e çmimeve të referencës, por pa ju marr mendim, krejt papritur të gjithë u përballen me miratimin e VKM-së.
Gazetare: T. Shamku
/RTSH/