RTSH 24 Live

Kosova

Shtëpia e Bardhë: Takimi Erdoğan-Biden një mundësi për diplomaci ballë për ballë

10/06/2021

Shtëpia e Bardhë: Takimi Erdoğan-Biden një mundësi për diplomaci ballë për ballë

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se presidenti amerikan Joe Biden e ka prioritet takimin me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe se takimi më 14 qershor do të jetë "një mundësi për diplomaci ballë për ballë".

Psaki iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në avion gjatë udhëtimit të presidentit Biden nga Washingtoni për në Britani të Madhe.

Në pyetjen se cilat janë pritshmëritë nga takimi dypalësh që Erdoğan dhe Biden do të zhvillojnë më 14 qershor, Psaki tha: "Kjo marrëdhënie është marrëdhënie me një partner të NATO-s, ku ka fusha dhe mundësi që e ndiejmë se duhet të vazhdohet të punohet së bashku në mënyrë konstruktive dhe në të njëjtën kohë ku ka edhe fusha ku përjetojmë mosmarrëveshje serioze".

Ndërsa në pyetjen lidhur me temat që do të jenë në tryezë në bisedimet në fjalë, Psaki u përgjigj: "Jam e sigurt se do të bisedojnë mbi çështjet e sigurisë rajonale që ndikojnë komunitetin global. Në të njëjtën mënyrë do të përfshihen edhe çështjet për COVID-19 dhe ato ekonomike. Me afrimin e kohës do të kemi më shumë detaje".

Kalendari i vizitës një javore të Bidenit në Evropë

Në vizitën e presidentit amerikan Biden e cila fillon sot, stacioni i parë do të jetë Britania. Këtu Biden do të takohet me kryeministrin Boris Johnson dhe mbretëreshën Elizabeth II ndërsa më 11-13 qershor do të marrë pjesë në Samitin e G7.

Pas Britanisë, Biden më 13 qershor do të zhvillojë vizitë në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel. Ndërsa me 14 qershor Biden do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s dhe këtu do të zhvillojë takimin e parë ballë për ballë me presidentin Recep Tayyip Erdoğan. Pritet që në takim të diskutohen në mënyrë gjithëpërfshirëse marrëdhëniet dypalëshe.

Biden më 15 qershor do të marrë pjesë në Samitin SHBA-BE në Bruksel dhe më pas më 16 qershor do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në Gjenevë të Zvicrës./AA