RTSH 24 Live

Kosova

Shtëpia e Bardhë bën përgjegjës Trump-in "që Irani ka rritur kapacitetin e tij bërthamor"

13/01/2022

Shtëpia e Bardhë bën përgjegjës Trump-in "që Irani ka rritur kapacitetin e tij bërthamor"

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka deklaruar se arsyeja pse Irani ka rritur kapacitetin e tij bërthamor dhe ka përshpejtuar programin e tij bërthamor është tërheqja e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, Psaki vlerësoi çështjet në rendin e ditës dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Ajo foli lidhur me bisedimet mbi programin bërthamor që vazhdojnë në Vjenë me Iranin dhe tha se "Aktualisht negociatat vazhdojnë. Në muajin dhjetor shprehëm shqetësimin tonë ndaj qëndrimeve jo serioze të Iranit, por aktualisht ndodhemi sërish në tryezë".

Duke kritikuar ish-presidentin Trump, zëdhënësja Psaki deklaroi se, "Aktualisht Irani ka rritur kapacitetin dhe aftësinë bërthamore të tij. Në të gjithë botën kryen luftëra të deleguara. Asnjëra nga këto nuk do të kishte ndodhur nëse ish-presidenti amerikan (Trump) nuk do të ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore në mënyrë të pamatur dhe pa menduar hapin tjetër të mëpasshëm".

Me tërheqjen e Trump-it nga marrëveshja, tashmë SHBA-ja nuk mund të ndjekë punimet bërthamore të Iranit, tha Psaki.

"Me tërheqjen e qeverisë së mëparshme nga marrëveshja, po rritet aktualisht programi bërthamor i Iranit. Irani ka sulmuar drejtpërdrejtë partnerët tanë në Gji dhe grupet e lidhura me të po sulmojnë sërish ushtarët e SHBA-së në Irak. SHBA-ja u izolua plotësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Ne aktualisht po përpiqemi të riformojmë këto marrëdhënie dhe të rikthehemi sërish në tryezë", u shpreh Psaki.