RTSH 24 Live

Politikë

Shqipëria feston sot 109 vjetorin e Pavarësisë

28/11/2021

Shqipëria feston sot 109 vjetorin e Pavarësisë

Shqipëria feston sot 109-vite nga krijimi i shtetit. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës. Në festimet e sotme në Vlorë dhe në Tiranë apo në qytete të tjera të vendit pritet që të kenë shumë shqiptarë nga Kosova dhe trevat e tjera. 

Kryeministri Edi Rama, mëngjesin e kësaj të diele e ka nisur me një urim special për Pavarësinë. Zoti Rama përmes disa fotove të postuara në Facebook, uron Ditën e Flamurit me një tjetër ngjarje të rëndësishme për qytetin e historisë Vlorën, atë të nisjes së punimeve për aeroportin e ri në qytetin bregdetar. Kreu i qeverisë krahas fotove shkruan “Mirëmëngjes  , Gëzuar 28 Nëntorin”. Ndërkohë kujtojmë se shqiptarët kudo ndodhen këtë të dielë festojnë 109 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 

 

Pak histori!

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.