RTSH 24 Live

Politikë

Shqipëria drejt zgjedhjes në Këshillin e Sigurimit, ministrja Xhaçka mbërrin në sallën e OKB

11/06/2021

Shqipëria drejt zgjedhjes në Këshillin e Sigurimit, ministrja Xhaçka mbërrin në sallën e OKB

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ka mbërritur në New York, aty ku Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, pritet të votojë për 5 shtetet e reja, të cilat do të jenë anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara për periudhën 2022-2023. Një prej këtyre shteteve është edhe Shqipëria. Ditën e djeshme Xhaçka është pritur nga përfaqësuesit e përhershëm të 5 vendeve anëtare me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. 

Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë. Vendi ynë paraqitet në këto zgjedhje si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore dhe e mbështet këtë kandidaturë në 5 prioritetet kryesore:

– Respektimi i të drejtave të gruas, si kontribut për paqe dhe siguri të qëndrueshme;

-Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjit ndërkombëtar;

-Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm  dhe terrorizmit;

-Ndryshimet e klimës dhe lidhjet e tyre me rreziqet ndaj sigurisë globale;

-Metodat e punës të Këshillit të Sigurimit

Duke qenë kandidaturë e vetme Shqipëria ecën e sigurt drejt zgjedhjes dhe marrjes së konfirmimit, kur i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare.

Ambicien për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit Shqipëria e ka shfaqur që në shtator të vitit 2018. Pas Presidencës së OSBE-së, kjo do të ishte një arritje edhe më e madhe. Nëse konfirmohet më 11 qershor, Shqipëria e merr mandatin në janar të vitit 2022.

Çfarë është Këshilli i Sigurimit?

Këshilli i Sigurimit në OKB është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve. Vendimet e këtij organi quhen rezoluta dhe janë të obligueshme. Këshilli i Sigurimit ka pasur takimin e parë në janar 1946. KS mund të përdorë edhe forcën në konflikte të armatosura, por të gjitha shtetet permanente duhet të jenë dakord. Ka dy lloje shtetesh në Këshillin e Sigurimit: 5 shtete anëtare të përhershme dhe 10 shtete të zgjedhura. ShBA, Franca, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia janë shtetet anëtare të përhershme.  10 shtetet e zgjedhura kanë ulëse në KS për një mandat 2-vjeçar. Një nga këto 10 shtete duhet të jetë nga Evropa Lindore, pjesë e së cilës është edhe Kosova dhe Shqipëria sipas OKB-së.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi është i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Zakonisht shtetet e shpallin kandidaturën e tyre për Këshillin e Sigurimit vite më parë. Por ndodh që ka edhe vende që konkurrojnë në momentet e fundit. Këtë vit, Republika Demokratike e Kongos vendosi muajin e kaluar të vinte kandidaturën, duke vënë në dyshim anëtarësimin pothuajse të sigurtë për dy shtetet e tjera afrikane, Gabonin dhe Ganën. Megjithatë këtë javë, njoftimet nga Afrika vinin në dukje se Presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tshisekedi ka vendosur ta tërheqë kandidaturën. Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.