RTSH 24 Live

Politikë

Shqipëria anëtare e Këshillit të Sigurimit, Milo: Dëshmon qëndrushmërinë e shtetit shqiptar dhe pozicionin tonë ndërkombëtar!

12/06/2021

Shqipëria anëtare e Këshillit të Sigurimit, Milo: Dëshmon qëndrushmërinë e shtetit shqiptar dhe pozicionin tonë ndërkombëtar!

Për herë të parë Shqipëria është anëtarësuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duke siguruar një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare nga ana e shtetit tonë. Edhe pse kjo është një procedurë normale e paraparë nga karta e Kombeve të Bashkuara, ish-ministri i jashtëm Paskal Milo, sqaron për mikrofonin e RTSH, se ky anëtarësim mund të mos ndodhte nëse vendi ynë nuk do e kishte merituar.  "Qenia anëtar i përkohshem i KS-së në OKB është një procedurë normale e paraparë nga karta e Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit ka 15 anëtarë, ku 5 të përhershëm, fuqitë e mëdha dhe 10 të përkohshem që zgjidhen me një rotacion 2 vjecar.  Për herë të parë i vjen rradha Shqipërisë. Kjo procedurë ka kaluar përmes një planifikimi, ardhja e rradhës se vendit tonë është jo thjeshtë procedurë por dhe mërite e Shqipeërisë, pasi ka arritur ta meritojë këtë anëtarësim se mund të vinte rradha  por nuk e meritoje.
Kandidatura e Shqipërise ka në vetvete edhe një respekt për Shqipërinë e treguar në shifra. 175 një shifër shumë domëthenëse, por mund të kishte qenë dhe më e ulët nëse Shqiperia nuk e meritonte", tha Milo.

Diplomati Milo tregon disa prej meritave të Shqipërisë që kanë cuar në zgjedhjen si anëtar të përkohshëm të Këshillit të Sigurimit, por thotë se ky anëtarësim shoqërohet një herësh edhe me detyra të rëndësishme.  "Duhet të jemi modest sepse përpos një procedure une fola dhe për meritën e Shqiperisë për të marr pozicionin me të cilën duhet nenkuptuar qendrushmëria e shtetit shqiptar, pozicionet e tij ndërkombëtare. Por duhet të jemi dhe realist se anëtarësimi ka përpos meritave edhe detyra dhe jo pak sepse është forumi me i lartë  ekzekutiv të marrjes së vendimit dhe mirat rezolutave të OKB dhe instituti më i rëndsishëm për garantim paqe e siguri"tha ai.

Anëtarësimi i Shqipërisë mund të jetë edhe një ndihmë për Kosovën, në ngritjen e cështjes dhe kërkesave të saj, pavarësisht fuqisë së zërit të vendit tonë në Këshillin e Sigurimit. "Nuk besoj se Shqipëria mund të ketë fuqi që të dëmtojë vullnetin e saj në KS sepse jane 5 vendet anëtare të përhershme ku Kina dhe Rusia te cilat kanë qendrim të vecantë ndaj pavarësisë së Kosovës anëtarësimit në OKB. Besoj se qenia e Shqipërisë do ndihmoj Kosovën në ceshyjen e saj, kërkesat e saj sepse do jetë një zë brenda 15 anëtarëve dhe nëse zëri Shqipërisë atje do ngrihet dhe përfaqësohet me dinjitet patjetër që do ketë vend në politikën ndërkombëtare" 

Shqipëria u bë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, me 175 vota nga 117 të nevojshme, me një mandat 2-vjeçar. Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u votua për 5 shtetet e reja të cilat do të jenë anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023. Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.