RTSH 24 Live

Ekonomi

Shqipëri-Ukrainë, forcim të bashkëpunimit në sektorin bankar

15/04/2021

Shqipëri-Ukrainë, forcim të bashkëpunimit në sektorin bankar

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e parë të Ukrainës rezident në Tiranë, Volodymyr Shkurov.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin me zhvillimet financiare në vend, ku në fokus të bisedës ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe efektet e saj në ekonominë shqiptare.

Guvernatori u shpreh se përhapja e pandemisë COVID-19 gjatë vitit 2020 në Shqipëri ishte një sfidë e vërtetë për vendin dhe shoqërinë në përgjithësi, si dhe veçanërisht për ekonominë dhe sektorin financiar. Në këtë kontekst, Guvernatori shtoi se si pasojë e masave të kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë, ekonomia shqiptare gjatë vitit 2020 shënoi një rënie, por falë politikave të mirëkoordinuara makroekonomike, si dhe kontributit të Bankës së Shqipërisë, kjo rënie ishte më e vogël sesa qe parashikuar, ndërkohë që pritet që gjatë vitit 2021 aktiviteti ekonomik të rikuperohet gradualisht.

Më tej, Guvernatori e njohu Ambasadorin me ndërhyrjen e autoriteteve publike për përballimin e kësaj situate, dhe përgjigjen e  Bankës së Shqipërisë për t’iu ardhur në ndihmë bankave dhe klientëve të tyre, si dhe për të minimizuar kostot e pandemisë COVID-19 në ekonominë e vendit.

Guvernatori Sejko prezantoi më konkretisht për Ambasadorin, masat e marra nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të kësaj situate, të tilla si ulja e normës bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5%, furnizimi me likuiditet i sistemit bankar duke hequr kufijtë sasiorë, eliminimi i kostove të operimit të sistemeve të pagesave elektronike, sigurimi i pandërprerë i ekonomisë me para fizike, shtyrja me dy tremujorë e pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi financiare, si dhe ndryshime të tjera rregullative.

Në vijim, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë duke analizuar vazhdimisht situatën mbetet e gatshme të përdorë instrumentet e nevojshme ligjore e rregullative që disponon, në bashkëpunim me të gjithë autoritetet në vend, me qëllim krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë si dhe të ruajtjes së parametrave makroekonomikë dhe stabilitetit të çmimeve e atij financiar në vend.

Nga ana e tij, Ambasadori  Volodymyr Shkurov vlerësoi rolin që Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar kanë luajtur si dhe mbështetjen që kanë dhënë për kapërcimin e situatës dhe minimizimin e efekteve  negative. Në vijim Ambasadori dhe Guvernatori Sejko ndanë të njëjtin mendim mbi vullnetin e tyre për të zhvilluar një bashkëpunim midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Kombëtare të Ukrainës, kryesisht në fushën e sistemit financiar.

Në përfundim, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e deritanishme të bashkëpunimit midis dy vendeve si mjaft të mira, duke theksuar njëkohësisht prespektivën për t’i zhvilluar ato edhe më tej, veçanërisht në aspektin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar.