RTSH 24 Live

Kosovë

Shqipëri-Kosovë, konsultime në fushën e diplomacisë dhe diasporës

22/06/2024

Shqipëri-Kosovë, konsultime në fushën e diplomacisë dhe diasporës

Shqipëria dhe Kosova zhvilluan në Tiranë konsultime dypalëshe në fushën e diplomacisë publike dhe diasporës.

Konsultimet u zhvilluan në rang zv/ministrash të Jashtëm dhe zv/Ministrash të Arsimit.

Zv/ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo bëri të ditur se në takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me diasporën, përpjekjet e përbashkëta të dy shteteve në ruajtjen e identitetit kombëtar përmes arsimimit dhe përdorimit të gjuhës amtare, ruajtjen dhe promovimin e vlerave dhe trashëgimisë kombëtare, si pjesë e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Malo theksoi se linjat kryesore të angazhimit dhe synimet themelore të punës së përbashkët me diasporën, janë detyrime që rrjedhin nga marrëveshjet e përbashkëta qeveritare mes dy vendeve tona.

“Në takim u dakordësua për angazhimet e mëtejshme të dy vendeve në harmonizimin dhe përmirësimi i legjislacionit përkatës, për ta përshtatur me kushtet aktuale të mërgatës shqiptare; rritjen e standarde të përbashkëta të rekrutimit të mësuesve në diasporë; bashkëfinancimin e projekte dhe programe të miratuara nga institucionet përgjegjëse të palëve”, tha Malo.

Po ashtu, ajo theksoi se në fokus ishin organizimet e përbashkëta në fushatat sensibilizuese dhe promovuese për/me diasporën; dixhitalizimi i kurikulave të teksteve shqip në diasporë; partneritet dhe përpjekje të përbashkëta midis universiteteve të Tiranës dhe Prishtinës, për certifikimin e gjuhës shqipe; përpjekje të përbashkëta për të mbrojtur gjuhën shqipe në kornizën e gjuhëve evropiane.

Në përfundim të konsultimeve dypalëshe, Malo theksoi se u ra dakord për ngritjen e grupeve të punës, me ekspertë të ministrive përgjegjëse për të avancuar me projektet e mësipërme.

/ rtsh.al /