Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Beogradi ka nisur hetimet lidhur me shpërthimin që u regjistrua në Zubin Patok, teksa ka hedhur poshtë akuzat nga autoritetet e Kosovës. Në një deklaratë për mediat, Vuçiç tha se hetimet do të tregojnë se kush qëndron pas sulmit.
"Dje pati një sulm hibrid ndaj vendit tonë. Në valën e parë, ata menjëherë akuzuan Beogradin dhe Serbinë, nuk thanë serbët, por Beogradi dhe Serbia. Beogradi dhe Serbia nuk e kishin idenë dhe as nuk do të na kishte shkuar në mendje. Dhe askush nuk duhet të shqetësohet sepse nuk ata nuk mund të provojnë diçka që nuk ekziston. Nuk ka Beograd dhe ne do ta shohim më vonë se kush qëndron pas këtij sulmi. Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe, si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti”, tha Vuçiq.
Shpërthimi u regjistrua mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, ku për pasojë u dënua kanali i ujit i Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se pas këtij sulmi qëndron Serbia, ndërsa Beogradi e ka mohuar diçka të tillë.
Tetë persona të dyshuar janë vënë në pranga, të cilëve ju janë gjetur edhe armatime, përfshi pajisje shpërthyese, por edhe emblema dhe simbole ruse dhe serbe. Të ndaluarit dyshohen se kanë lidhje edhe me sulmet që janë ndërmarrë gjatë javës që lamë pas në veri të Kosovës, siç ishte ai me granata dore në stacionin policor dhe në ndërtesën e komunës së Zvecanit.
Sulmi ndaj objektit infrastrukturor ndërkohë u dënua nga ndërkombëtarët, që kanë kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të tij.
/rtsh.al/