RTSH 24 Live

Kosovë

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit, kryeministri serb: Duam hetim ndërkombëtar

06/12/2024

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit, kryeministri serb: Duam hetim ndërkombëtar

Kryeministri i Serbisë, Milosh Vucevic ka këmbëngulur në nevojën e një hetimi ndërkombëtar lidhur me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit. Në një intervistë për mediat serbe ai i konsideroi të tepruara deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

"Serbia është e interesuar në mënyrë jetike, nëse mund ta formuloj në këtë mënyrë, për të përcaktuar saktësisht se çfarë ndodhi në Zubin-Potok, pasi ne jemi absolutisht të sigurt se asnjë nga serbët apo Serbia nuk ka të bëjë me të dhe se është një mashtrim për të treguar se Kurti është viktimë, pra ai po përpiqet ta tërheqë Serbinë në një konflikt përsëri", deklaroi ai.

Ai shtoi se Beogradi është gati të bisedojë me Prishtinën dhe të kërkojë një kompromis, por theksoi edhe njëherë qëndrimin e Serbisë se njohja e Kosovës është “e pamundur”.

"Unë mendoj se kompromisi është një fjalë e mirë dhe se është i nevojshëm si për popullin serb ashtu edhe për atë shqiptar. Por kompromisi nuk do të thotë se Serbia do të kapitullojë. Kompromisi nuk është se ne japim gjithçka dhe nuk marrim asgjë. Është e pamundur që Serbia të njohë atë që ata e quajnë Kosovë”, deklaroi ai.

Shpërthimi u regjistrua mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin-Potokut, ku për pasojë u dëmtua kanali i ujit i Ibër-Lepencit, furnizuesi me ujë i disa qyteteve të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se pas këtij sulmi qëndron Serbia, ndërsa Beogradi e ka mohuar diçka të tillë. /RTS

/rtsh.al/