RTSH 24 Live

Rajon

Shpërthimet në Zubin Potok, reagon Osmani dhe Vuçiç

06/12/2022

Shpërthimet në Zubin Potok, reagon Osmani dhe Vuçiç

Policia e Kosovës bëri të ditur se në orët e pasdites dyshohet se ka pasur shkrepje armësh dhe shpërthime në Zubin Potok, në  Mitrovicën e Veriut. Sipas të dhënave paraprake nuk raportohet për të lënduar.

“Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut, janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor. Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve”, njoftohet  nga Policia.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në një deklaratë për mediat në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Osmani deklaroi se është një sulm i kryer nga bandat e përkrahura nga Vuçiç.

“Ne jemi në kontakt të përditshëm me kryetarin e KQZ-së dhe në veçanti me institucionet e qeverisë. Për fat të keq situata në veri eskalon për një arsye të vetme, bandat e përkrahura dhe financuara nga Vuçiç kanë për qëllim të destabilizojnë veriun e Kosovës dhe vetë Ballkanin Perëndimor. Ne duhet të mbrojmë jetën e secilit qytetar. Është me rëndësi që siguria e qytetarëve të jetë mbi të gjitha. Tani po e presim edhe raportimet përfundimtare.”- tha Osmani.

Nga ana tjetër edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka komentuar për ngjarjen në Zubin Potok.

“Sot, përsëri, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, janë dërguar oficerë policie të armatosur në veri. Siç thashë edhe dje, ju thjesht pyesni se në cilën ditë do të ndodhë ndonjë provokim i ri që mund të prishë stabilitetin dhe paqen. Është mirë që të paktën, sipas të dhënave aktuale, nuk ka viktima dhe besojmë se do të mbetet e tillë. Për sa i përket kohës nuk e dimë se çfarë kanë në mendjen e atyre personave që duan të shkaktojnë konflikte çdo javë. Nuk është një periudhë e lehtë përpara për ne, por është e rëndësishme që të qëndrojmë me popullin tonë dhe të pajtohemi me shqiptarët për gjithçka që është e mundur që paqja të ruhet. Besoj se Miroslav Lajçak do të luajë një rol të rëndësishëm në qetësimin e situatës”,- tha Vuçiç.

/rtsh.al/