RTSH 24 Live

Politikë

Shpërndau certifikata legalizimi, falet deputeti socialist

22/01/2021

Shpërndau certifikata legalizimi, falet deputeti socialist

KQZ fal socialistin që nisi fushatën elektorale duke shpërndarë certifikata pronësie dhe legaliziminë zonën e tij elektorale. Deputeti socialist Bujar çela u "kallëzuar" në KQZ nga LSI-ja për shkak të marrjes pjesë në eventet e shpërndarjes së certifikatave, së bashku me zyrtarë të Kadastrës së Lushnjës. Komisioni për Ankimet dhe Sanksionet vendosi ta shfuqizojë gjobën e vendosur nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi. Vendimi në KAS u mor me shumicë votash dhe pranoi kërkesën e drejtorit të Kadastrës së Lushnjes për pafajësi. Ndërsa dy anëtarët e tjerë të propozuar nga opozita, mbështetën kërkesën e LSI-së që Arben Qalliu të ndëshkohej më shumë se sa 15 mijë lekë të vjetër.

Njoftimi i KQZ

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi Kërkesën Ankimore nr. 01 me objekt “Ndryshimi i Vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr.7 datë 14.01.2021” me ankues, z. Arben Qalliu dhe Kërkesën Ankimore nr. 02 me objekt “Ndryshimi i Vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr.7 datë 14.01.2021” me ankues, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në përfundim të shqyrtimit Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi ndryshimin e vendimit nr. 7, datë 14.01.2021, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe pranimin e ankimit të z. Arben Qalliu lidhur me vendosjen e sanksionit administrativ, si edhe rrëzimin e ankimimit Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me vendosjen e sanksionit administrative ndaj deputetit Bujar Çela.

Gjithashtu, KAS vendosi që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve të informojë Agjensinë Shtetërore të Kadastrës dhe t’i kërkojë që, në respektim të standardit të zgjedhjeve dhe neutralitetit të administratës publike, deputetët, deri në datën e zgjedhjeve të mos ftohen në veprimtaritë rutinë të administratës qendrore dhe vendore të tij, të cilat zhvillohen nëpërmjet kontaktit, komunikimit dhe bashkëpunimit me zgjedhësit.