RTSH 24 Live

Aktualitet

Shpërndante kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit, arrestohet 27-vjeçari

24/06/2022

Shpërndante kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit, arrestohet 27-vjeçari

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 27-vjeçarin V.H., pasi posedonte dhe shpërndante kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit. Policia pas informacioneve të siguruara, ka bërë kontrollin fizik të 27-vjeçari, të cilit i janë gjetur dhe sekuestruar kokainë dhe peshore elektronike. Ndaj 27-vjeçarit rëndon akuza për "Prodhim dhe shitje të narkotikëve".

Njoftimi i Policisë Tiranë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: – V. H., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë lokalizuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin V. H., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe një peshore elektronike.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, e ndante atë në porcione të vogla, të cilat i shiste më pas, në zona të ndryshme të Tiranës. Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/