RTSH 24 Live

Rajon

Shoferët rumunë protestojnë për çmimet e larta të karburantit duke bllokuar pikat e karburantit

15/06/2022

Shoferët rumunë protestojnë për çmimet e larta të karburantit duke bllokuar pikat e karburantit

Pompat e benzinës në disa qytete rumune u bllokuan në fillim të kësaj jave nga shoferët që protestonin për çmimet e larta të karburantit. Çmimi i karburantit dizel në Rumani është rritur me rreth 80% në 12 muajt e fundit, duke arritur mbi 9,2 RON (1,85 euro) për liter, njofton Romania Insider.

Qindra shoferë u rreshtuan për të hedhur vetëm sasi të vogla benzine ose naftë në rezervuarët e tyre, duke krijuar kështu bllokime dhe kohë të gjata pritjeje për karburant. Përfaqësues të pikave të karburantit thirrën policinë për të shpërndarë protestuesit, por duke qenë se ata teknikisht nuk shkelnin asnjë ligj, forcat e rendit nuk mundën të ndërhynin.

“Protestat janë të justifikuara. Konsumatorët kanë të drejtë të jenë të pakënaqur dhe të refuzojnë të blejnë nga shitësit me çmime të larta,” tha kreu i Këshillit të Konkurrencës Bogdan Chiriţoiu në një konferencë për sfidat ekonomike në zhvillim.

Ai theksoi se, gjatë pandemisë, çmimi i karburantit në Rumani ishte rreth 5 RON për litër, ndërsa fuçia e naftës tregtohej me 20 dollarë. Tani, çmimi i karburantit ka arritur në 9 RON për litër, ndërsa fuçia e naftës është 120 dollarë dhe nuk tregon shenja rënieje.

“Nuk ka asnjë shenjë se ne kemi rritje të çmimeve mbi mesataren e BE-së. Përkundrazi, herën e fundit që kontrollova, ishim 5% më poshtë”, tha ai.

Chiriţoiu shtoi se rritjet e çmimeve për karburantet dhe mallrat e tjera në Rumani përcaktohen të gjitha nga "lufta e Rusisë në Ukrainë". (Sipas Rumania Insider)