RTSH 24 Live

Rajoni

Shkupi var shpresat e negociatave te presidenca portugeze e BE-së

04/01/2021

Shkupi var shpresat e negociatave te presidenca portugeze e BE-së

Maqedonia e Veriut pret që gjatë kryesimit të Portugalisë me Bashkimin Evropian (BE) të miratohet korniza për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se shpreson se Portugalia do të vazhdojë përpjekjet e Gjermanisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Bullgarinë e cila në samitin e dhjetorit të BE-së vendosi veton ndaj kornizës negociuese me Maqedoninë e Veriut.

“Ne kishim pritje të mëdha që korniza do të miratohej në dhjetor gjatë presidencës gjermane e cila bëri përpjekje mbinjerëzore për të kapërcyer dallimet me Bullgarinë, por, padyshim që pengesat ishin të mëdha që kjo të ndodhte. Pritjet janë të mëdha edhe për presidencën portugeze”, ka deklaruar Osmani në një konferencë për mediat të hënën në Shkup.

Qeveria maqedonase të hënën ka njoftuar se do të nis koordinimet me të gjitha institucionet e politikës së jashtme për të hartuar kalendarin e aktiviteteve lidhur me bisedimet me Bullgarinë, por edhe partnerët ndërkombëtarë, siç ka thënë, në drejtim të zhbllokimit të vetos bullgare ndaj kornizës negociuese.

Zyrtarët bullgarë ndërkohë mbeten në qëndrimin se pa zgjidhur mosmarrëveshjet për çështjet historike, gjuhën dhe identitetin maqedonas, që sipas tyre kanë “rrënjë bullgare”, nuk do të ketë tërheqje nga vetoja për kornizën negociuese.

Autoritetet maqedonase kanë thënë se mbeten të hapur për bisedime me Bullgarinë, por jo edhe të bëjnë negociata për gjuhën dhe identitetin maqedonas. /rel