RTSH 24 Live

Politikë

Shkrirja e bordit të Ushqimeve dhe të Karburanteve, Tabaku: Qeveria të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese

26/05/2023

Shkrirja e bordit të Ushqimeve dhe të Karburanteve, Tabaku: Qeveria të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Deputetja demokrate Jorida Tabaku i ka bërë thirrje qeverisë që të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për shkrirjen e Bordit të Ushqimeve dhe të Karburanteve.

Sipas Tabakut, qeveria është ortake në çmimet e larta që vendos bordi, ndërsa i ka bërë thirrje parlamentit që të mblidhet për të kërkuar pezullimin e aktivitetit të këtij bordi.

Qeveria duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese! Gjykata kushtetuese ka vendosur që Bordi i Ushqimeve dhe Bordi i Karburanteve përveçse antikushtetuese i kanë kryer funksionet e tyre në kohë!

Në shkelje të plotë të konkurrencës, me një rast të pashembullt në botë, bizneset e mëdha u ulën në tryezë me qeverinë e përcaktuan çmimet në dëm të xhepit të qytetarëve! Nga kjo shkelje e kushtetutës të paktën 600 mln Euro u paguan shtesë nga qytetarët në arkën e bizneseve që uleshin në tavolinë për të vendosur çmimin.

Bordi i Ushqimeve ndonëse ligjërisht ende i pashkrirë de facto nuk po mblidhet më. Ndërkohë që Bordi i Karburanteve vazhdon avazin e vjetër duke vendosur çmime në kurriz të shqiptarëve për naftën”, tha Tabaku.

Deputetja demokrate u shpreh se situata nuk është emergjente dhe se çmimet e naftës dhe gazit në tregun ndërkombëtar janë stabilizuar. Sipas Tabakut, detyra e çdo deputeti është mbrojtja e interesave të shqiptarëve.

Jam e bindur që ka shumë prej kolegëve socialistë që mund të ndajmë shumë mendime të ndryshme por puqemi pikërisht në çmendurinë e këtij bordi sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Detyra e Parlamentit! Detyra e çdo deputeti është të mbrojë interesin e shqiptarëve, pasi ata janë zgjedhësit tanë dhe jo një klub oligarkësh që u vendos atyre çmimin e lartë të naftës duke ua shtrenjtuar jetën më shumë se sa inflacioni socialist”, tha Tabaku.

/rtsh.al/