RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Shkodër: Vritet me armë me silenciator ish-deputeti

30/11/2021

Shkodër: Vritet me armë me silenciator ish-deputeti

Ish-deputeti Pashko Ujka, njëherësh edhe ish-kryetar i komunës së Velipojës mbeti i vrarë pas një atentati me armë me silenciator pranë banesës së tij në Shkodër. 64-vjeçari të cilit më parë i janë bërë edhe dy atentate, ka marrë një plumb në shtyllën kurrizore të cilit nuk i mbijetoi dot, ndonëse u çua me urgjencë në spital.  Dëshmitare e gjithë ngjarjes ka qenë bashkëshortja e tij. 

Pistat e hetimit në lidhje me ngjarjen, kanë të bëjnë me konflikte personale të ish-deputetit Pashko Ujka, por edhe detyra e tij si kryetar komune në Velipojë, ku mësohet se ka pasur disa denoncime  për çështje pronash.

Në vitin 2005 Pashko Ujka është zgjedhur deputet me aleancën demokratike ndërsa në 2007 ka kaluar me Partinë Demokristiane.

Në vitet 2008-2009 ai ka qenë pjesë e grupit parlamentar të PD. Në vitin 2016, Pashko Ujka ka kërkuar në Gjykatën Administrative shfuqizimin e dënimit të vendosur ndaj tij me gjobë nga Inspektoriati Shteteror i Mjedisit Pyjeve dhe Ujërave, Dega Rajonale Shkodër, por kjo kërkesë e tij është hedhur poshtë nga togat e zeza.

Pashko Ujka ka patur përplasje për shkak të detyrës dhe pronave në të shkuarën dhe ka mbetur dy here i plagosur si pasojë e sulmeve me armë të kryera ndaj tij.