RTSH 24 Live

Kronika

Shkodër/ I vendoset eksploziv makinës së drejtoreshës së Shëndetit Publik, bëhet shpërthim i komanduar

28/06/2022

Shkodër/ I vendoset eksploziv makinës së drejtoreshës së Shëndetit Publik, bëhet shpërthim i komanduar
Drejtoresha e Operatorit Shëndetësore në Shkodër, Suida Kuka

Një sasi eksplozivi është shpërthyer në mënyrë të komanduar nga njësia antieksploziv e RENEA pasditen e kësaj të marte në Shkodër, duke shmangur një ngjarje që mund të kishte patur pasoja të rënda.

Lënda plasëse ka qenë e vendosur pranë automjetit të drejtoreshës së Operatorit të Shërbimit Shëndetësor në Shkodër, Suida Kuka, e cila e mori detyrën më 16 maj 2022.

Policia bën me dije se ishin njoftuar rreth orës 16:00 për një pako të dyshimtë në lagjen “Vojo Kushi”, ndërsa pas verifikimeve ka rezultuar të ishte një sasi lënde plasëse.

Shpërthimi është bërë me telekomandim, ndërsa nuk kanë mbetur persona të lënduar.

Për momentin nuk bëhen me dije të tjera detaje mbi ngjarjen, teksa policia ka nisur hetimet.

Në vijim të informacionit paraprak për një pako të dyshimtë që u konstatua në lagjen “Vojo Kushi”,  Shkodër, në afërsi të një mjeti “Range Rover”, në pronësi të shtetases S. K., banuese në fshatin Demiraj, Malësi e Madhe, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër, ju informojmë se: Në vendin ku u konstatua pakoja e mbyllur erdhi njësia antieksploziv e RENEA-s, e cila bëri shpërthim të kontrolluar të pakos, brenda së cilës rezultoi se kishte lëndë eksplozive. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njofton policia.

/rtsh.al/