RTSH 24 Live

Kulturë

Shkodër/ Festivali i Këngës për Fëmijë, mbahet edicioni i VIII i "Akullore Fest"

18/11/2022

Shkodër/ Festivali i Këngës për Fëmijë, mbahet edicioni i VIII i "Akullore Fest"

Si një festë e vërtetë ishte atmosfera që krijuan fëmijët artistë dhe të rinjtë pasditen e djeshme në sallën e koncerteve "Gjon Kapidani", të shkollës artistike "Prenkë Jakova", me festivalin lokal të këngës për fëmijë "Akullore Fest", teksa në skenë u ngjitën artistët e vegjël për të kënduar para publikut të pranishëm që kishte ardhur për t'i ndjekur.

Edhe edicioni i sivjetmë, i cili është i teti, ruan traditën e bukur të këngës për fëmijë në qytetin e Shkodrës dhe kjo i jep një veçanti këtij festivali duke synuar që t'i promovojë sa më shumë krijimet artistike për fëmijë.

14 këngët e reja e pasurojnë edhe më shumë fondin e këngës për fëmijë ,edhe përmes tematikave që trajtojnë, por në këtë mënyrë ky festival i shërben edhe evidentimit të talenteve të reja në fushën e muzikës.

Në fund të mbrëmjes muzikore të festivalit "Akullore Fest", juria vlerësoi me çmime këngët më të mira.

Me çmimin e parë u vlerësua kënga “Bota më e bukur” me tekst nga Mirela Qyteza dhe muzikë nga Oleg Gjerga, orkestrimi nga Andi Unaza dhe kënduar nga dueti Eliza dhe Angjelina.

/RTSH/