RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Shkatërrohet një grup kriminal shqiptaro-spanjoll

01/09/2021

Shkatërrohet një grup kriminal shqiptaro-spanjoll

Një operacion i përbashkët antidrogë është ndërmarrë nga policia në Shqipëri, Spanjë dhe Gjermani. Lajmi u njoftua nga drejtues të policisë spanjolle dhe drejtori i përgjithshëm i policisë shqiptare Ardi Veliu gjatë një konferencë për median në Madrid.
Operacioni është koduar “Dobra”  dhe ka të bëjë me goditjen e një trafiku dhe kultivimit të marijuanës.
Gjatë operacionit u godit një grup kriminal në fushën e krimit të organizuar dhe u arrestuan 107 persona të dyshuar të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës.
Grupi kriminal besohet se menaxhonte mbjelljen e kanabisit në Spanjë, më  pas ai transferohej në shtetet europiane.
Gjatë këtij megaoperacioni u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro etj.
Në ditën e aksionit, 13 korrik rreth 400 policë në terren kryen bastisje të njëkohshme në 42 vende të ndryshme në Spanjë (Tarragona, Barcelona, Girona dhe Castellón). Disa kërkime shtesë u kryen disa ditë më vonë.