RTSH 24 Live

Kronika

Shkatërrohen 18 baza armatimi në Tiranë, 5 të arrestuar, 2 në kërkim

01/04/2021

Shkatërrohen 18 baza armatimi në Tiranë, 5 të arrestuar, 2 në kërkim

18 baza kriminale u zbuluan këtë të enjte nga Policia e Shtetit, e cila në bashkëpunim me Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion dhe Prokurorinë, bënë të mundur zbardhjen e 3 ngjarjeve kriminale si dhe sekuestrimin e një sasie të madhe armatimi të rëndë.
Ishte drejtori i policisë së Tiranës, Rebani Jpi, ai që përmes një deklarate për mediat, tha se në pranga u vunë 5 persona ndërsa në kërkim u shpallën 2 të tjerë.
Nga operacioni "Kompleks' u zbuluan baza, në të cilat bëhej  modifikimi, magazinimi dhe shitja e armëve, ku në pranga ranë: Paris Prenga, Bledar Deda dhe Flor Abazi, në kërkim mbetet Sokol Gjura. Operacioni sipas policisë, vijon ende.
Ndër armët e sekuestruara janë: snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.

Njoftimi i policisë: 

Në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Akil Kulla, i cili është shpallur në kërkim, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak, konkretisht një snajper prodhim i fundit, 4 kallashnikovë, dy granatahedhës, një pistoletë dhe pjesë për riparim dhe modifikim të armëve të zjarrit.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Bujar Jaupi, me profesion tornitor, i cili u arrestua në flagrancë, janë gjetur dhe sekuestruar 25 silenciatorë për armë të ndryshme të prodhuara nga ky shtetas në tornon që kishte në përdorim në ambientet e banesës, një pistoletë me mulli dhe qindra pjesë për modifikimin dhe riparimin e armëve të zjarrit.

Nga kontrolli i banesës së shtetasit Sokol Gjura, janë gjetur dhe sekuestruar radio si ato të policisë dhe të ushtrisë, një optikë termike speciale për snajper, ndërsa në magazinën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan 20 makineta të reja të lojërave të fatit, 6 tavolina ruleti, një automjet i blinduar, si dhe automjeti i përdorur nga autorët në vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit A. B.

Ndërsa në banesën e shtetasit Paris Prenga janë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike kokainë.

Në banesën e shtetasit Flor Abazi janë gjetur një sasi municioni për armë zjarri, 2 qese me lendë narkotike kokainë dhe një automjet i blinduar.

Po në kuadër të operacionit, nga kontrolli në banesën e shtetasit Arben Sufa, me profesion tornitor, Policia gjeti një pistoletë dhe pjesë për silenciatorë.

Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera, pasi operacioni vijon për zbadhjen e ngjarjeve të tjera në të cilat dyshohet se janë të përfshirë këta shtetas dhe shtetas të tjerë.