Në vijim të operacionit policor të koduar “Përfitimi”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 6 shtetas, Policia e Tiranës vuri sot në pranga një tjetër shtetas që shiste medikamente të dyshuara kontrabandë.
Në vijim të hetimeve të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit S. T, 57 vjeç, administrator i një rrjeti farmaceutik.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë. Policia po vijon punën për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.