RTSH 24 Live

Sociale

Shën Vasil, fshati që zhvillon agroturizmin

23/01/2021

Shën Vasil, fshati që zhvillon  agroturizmin

Shën Vasili, është një nga fshatrat e parë që ndesh duke udhëtuar nga Saranda drejt Vlorës. Një fshat që dikur numëronte rreth 300 shtëpi. Fshat me banorë të dashur e mikpritës që merreshin kryesisht me blegtori e bujqësi. Në fshat tani kanë ngelur rreth 100 banorë të cilët vazhdojnë ende të merren me punët bujqësore dhe blegtorale. Shumica janë të moshuar por nuk mungojnë edhe të rinjtë që për të jetuar kanë zgjedhur edhe sektorin e turizmit, duke investuar në hotele për ata vizitorë që vijnë aty.

 

“Fshati jonë është shumë i vjetër, në kohën e monizmit ka patur  rreth 300 shtëpi, ka patur edhe të ardhur  në fshat vec banorëve vendas sepse këtu ka qenë aksioni. Fshati ka qenë me popull të shumtë me rini, me aksion, me ushtri, dhe me burg. Banorët në kohët e mëparshme  të kooperativës, merreshin me fushën, mbillnin misër, lule djelli, ullinjt etj.

Më mbrapa në kohën e fermës, merreshin me agrume. Tani kanë ngelur rreth 100 banorë që merren me bagëti, me ullinj, e me portokalle. Përditshmëria jonë është pothuajse e njëjtë. Cohemi në mëngjes dhe tani që është sezoni i ullirit merremi me punë. Perspektivë të vetme në fshat, shohim turizmin. Këtu vijnë turistë të shumtë, ngaqë është rruga nacionale dhe të shumtit janë kalimtarë por ka edhe tursitë që vijnë në hotelet që janë bërë në fshat’’, shprehet kryeplaku i fshatit.

“Më përpara fshati ka qenë në rrëzë të malit me rreth 800 shtëpi por u shpërngul prej andej sepse ikën njërzit ngaqë nuk donin t'u nënshtroheshin taksave që vendosi Ali Pashë Tepelena. Atëhere merreshin me blegtori e bujqësi. Tani kanë ngelur shumë pak banorë që vazhdojnë traditën e kultivimit të ullinjve.

Shumë pak janë të rinj këtu. Disa kanë hapur edhe hotele për shkak se shikojnë si perspektivë turizmin. Turistët në fshat janë të shumtë sidomos gjatë verës’’, shprehet një i moshuar.

 

Sot në fshatin Shën Vasil, është gjallëruar turizmi i hotelerisë  që konkuron me plazhet buzë detit. Plantacionet me ullinj dhe agrume të shoqërojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, duke lënë për syrin e njeriut, një peisazh të mrekullueshëm.