RTSH 24 Live

Amerika

Shefi amerikan i mbrojtjes: Tërheqja e SHBA-së nga Afganistani "po ecën mirë"

08/06/2021

Shefi amerikan i mbrojtjes: Tërheqja e SHBA-së nga Afganistani "po ecën mirë"

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, ka bërë të ditur se përpjekja e vazhdueshme për të tërhequr të gjitha forcat e SHBA-së nga Afganistani deri në muajin shtator "po ecën mirë".

Duke folur në Pentagon së bashku me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, Austin tha se SHBA mbetet e përkushtuar për të ndihmuar partnerët e NATO-s në Afganistan përderisa ata po ashtu po tërhiqen.

"Kam besim se derisa mbështetja e vendosur fillon të relaksohet, ne do të kalojmë në një marrëdhënie të re me Afganistanin dhe me forcat afgane", tha Austin, duke iu referuar misionit mbështetës të NATO-s për forcat afgane.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka caktuar 11 shtatorin si afat kur të gjitha forcat amerikane do të jenë larguar nga Afganistani, me përjashtim të një sasie të vogël që do të ketë për detyrë të sigurojë ambasadën amerikane në Kabul.

Javën e kaluar, Pentagoni tha se procesi i tërheqjes ka arritur afër 50 për qind. Një azhurnim javor pritet gjatë ditës së nesërme.

Ndërkaq, Stoltenberg tha se aleanca do të vazhdojë të mbështesë qeverinë afgane pasi vendet anëtare të përfundojnë daljen e tyre përmes "pranisë sonë të vazhdueshme civile në Afganistan", si dhe ndihmës ushtarake dhe trajnimit potencialisht shtesë për forcat afgane.

"Pra, na duhet qëndrimi i koordinuar. Ne duhet të punojmë së bashku me partnerët, pasi tani i japim fund pranisë sonë ushtarake në Afganistan", tha Stoltenberg./AA