RTSH 24 Live

Kronika

SHBA vulos zgjedhjet e 25 prillit në OSBE: Apeli për partitë dhe SPAK

07/05/2021

SHBA vulos zgjedhjet e 25 prillit në OSBE: Apeli për partitë dhe SPAK

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë vulën zgjedhjeve të 25 prillit, duke vlerësuar si korrekt procesin, dhe duke hedhur poshtë kështu edhe pretendimet e opozitës për “masakër zgjedhore”. Misioni i SHBA në OSBE vlerëson se procesi zgjedhor ishte i mirëorganizuar dhe transparent, pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga pandemia dhe zbatimi i teknologjive të reja

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë popullin e Shqipërisë për angazhimin në zgjedhjet parlamentare në 25 Prill. Ne përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e një procesi zgjedhor të mirë-organizuar dhe transparent, pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga pandemia dhe zbatimi i teknologjive të reja .

Vëmë re se këto zgjedhje panë zbatimin e suksesshëm të kodit të ri zgjedhor, rezultat i një kompromisi të lehtësuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Shtetet e Bashkuara ishin gjithashtu të kënaqur kur panë se të gjitha partitë përkatëse morën pjesë në zgjedhje, pas bojkotit të 2017.

Përmirësimet në kodin zgjedhor të Shqipërisë dhe pjesëmarrja e një numri partish në zgjedhje është ushtrim demokracie dhe tregon angazhimin e Shqipërisë për zhvillimin e saj demokratik.”, thuhet në reagimin e Misionit të SHBA në OSBE.

Misioni i SHBA në OSBE nënvizon edhe problemin e blerjes së votës dhe rrjedhjen e të dhënave personale të mijëra qytetarëve, që u përdoren për llogari të PS.

Elisabeth Rosenstock-Siller thotë se partia në pushtet përfitoi nga pozitat e saj, duke përdorur burimet administrative dhe duke kontrolluar administratën.

“Ne gjithashtu vërejmë se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe ne përforcojmë shqetësimet mbi rrjedhjet e të dhënave personale, duke përfshirë preferencat politike të votuesve.”

SHBA thotë se duhet hetuar çdo individ që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e qytetarëve për të votuar, ndërsa ka një thirrje dhe për SPAK.

“Ne mirëpresim njoftimin e Gjykatës Speciale Antikorrupsion (SPAK) për hetimet e krimeve zgjedhore.”, thuhet më tej në mesazh.

Shtetet e Bashkuara presin raportin përfundimtar të ODIHR dhe inkurajojnë Shqipërinë të përdorë këtë raport për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në demokraci, mbrojtje dhe tregti.