RTSH 24 Live

Botë

SHBA: Vendosja e një çmimi tavan për naftën ruse do të godasë menjëherë Putin

03/12/2022

SHBA: Vendosja e një çmimi tavan për naftën ruse do të godasë menjëherë Putin

Vendosja e një çmimi tavan për naftën e papërpunuar ruse në det do të kufizojë të ardhurat e Rusisë për "luftën e paligjshme në Ukrainë", bën të ditur SHBA.

Çmimi tavan i miratuar nga aleatët perëndimorë synon të ndalojë vendet që paguajnë më shumë se 60 dollarë për një fuçi naftë të papërpunuar ruse në det.

Masa do të hyjë në fuqi më 5 dhjetor dhe intensifikon presionin perëndimor ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Ukraina tha se kufiri i propozuar nga Perëndimi duhet të përgjysmohet, ndërsa Rusia tha se nuk do të furnizojë vendet që e zbatojnë atë.

Në një deklaratë të përbashkët, G7, Bashkimi Evropian dhe Australia thanë se vendimi ishte marrë për të "parandaluar Rusinë që të përfitonte nga lufta kundër Ukrainës".

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha se çmimi i tavan për naftën ruse do të kufizonte më tej financat e presidentit rus Vladimir Putin dhe kufizonte të ardhurat që ai po përdor për të financuar pushtimin e tij brutal.

“Me ekonominë e Rusisë tashmë në tkurrje dhe buxhetin e saj gjithnjë e më të zbehtë, çmimi tavan për naftën do të ulë menjëherë burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të Putinit”, tha ajo në një deklaratë.

Para luftës, në vitin 2021, më shumë se gjysma e eksporteve të naftës ruse shkonte në Evropë, sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Energjisë. Gjermania ishte importuesi më i madh, i ndjekur nga Holanda dhe Polonia. Por që nga lufta, vendet e BE-së janë përpjekur të ulin varësinë e tyre. SHBA e ka ndaluar tashmë naftën bruto ruse, ndërsa Britania e Madhe planifikon ta heqë atë gradualisht deri në fund të vitit.

/rtsh.al/