RTSH 24 Live

Botë

SHBA vendos sanksione ndaj një biznesmeni shumë të njohur turk, njeri i afërt me Erdogan

08/12/2022

SHBA vendos sanksione ndaj një biznesmeni shumë të njohur turk, njeri i afërt me Erdogan

Administrata Biden vendosi sanksione ndaj një biznesmeni shumë të njohur turk, i cili përflitet se është një njeri shumë i afërt me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan. Ai akuzohet për shkelje të kufizimeve të SHBA-së, lidhur me shitjen e naftës iraniane.

Departamenti i Thesarit njoftoi sot se ka penalizuar Sitki Ayan dhe një numër kompanish që ai, familja dhe bashkëpunëtorët e tij kontrollojnë, pasi kanë mundësuar lehtësimin e shitjes së naftës iraniane në vlera qindra milionë dollarë, në favor të Gardës Revolucionare të Iranit.

“Ayan dhe firmat e tij akuzohen se kanë pastruar edhe të ardhurat e këtyre shitjeve, si për Gardën ashtu edhe për lëvizjen Hezbollah të Libanit, të cilat, janë përcaktuar si "organizata terroriste" nga SHBA,”- tha Departamenti i Thesarit.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e çdo aseti që Ayan dhe kompanitë e tij kanë nën juridiksionet e SHBA-së, si dhe ndalojnë amerikanët që të bëjnë biznes me Ayan dhe kompanitë e tij.

“Kompanitë e Ayan kanë lidhur kontrata ndërkombëtare për shitjen e naftën iraniane me blerës të huaj, kanë rregulluar dërgesat e naftës, si dhe kanë ndihmuar në pastrimin e të ardhurave, duke fshehur origjinën iraniane të naftës dhe interesat e Gardës në këto shitje”,- deklaroi Departamenti i tha Thesarit, në një deklaratë për mediat.

Sipas Thesarit të SHBA-së, Ayan, djali i tij, Bahaddin dhe tre bashkëpunëtorë, kishin organizuar shitje të naftës iraniane në kundërshtim me sanksionet e SHBA-së për Kinën, vendet e Azisë Lindore, Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe disa klientë në Evropë përmes Ayan's ASB Group of Companies Limited me bazë në Gjibralter. ASB zotëron ose kontrollon firma të shumta në Turqi, Qipro, Indi dhe Ishujt Marshall. Apnews

/rtsh.al/