RTSH 24 Live

Aktualitet

SHBA vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë për kufij më të sigurt.

21/07/2021

SHBA vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë për kufij më të sigurt.

Ambasadorja e SHBA-së, në Shqipëri Yuri Kim tha të mërkurën nga Kakavija se qeveria dhe vendi që ajo përfaqëson do të mbeten të angazhuar për kufij të sigurt. Zonja Kim ftoi autoritetet ligjzbatuese shqiptare të tregohen të pamëshirshëm ndaj grupeve kriminale.
"Mbrojtja e kufijve është e rëndësishme për sigurinë globale. SHBA mbeten të palëkundura në angazhimin për zbatimin e ligjit në Shqipëri. Grupet kriminale veprojnë në mënyrë të zgjuar, e ndaj ne duhet të tregohemi edhe më të zgjuar e të pamëshirshëm kundrejt tyre, për të luftuar trafikimin e paligjshëm, qarkullimin e drogës, e kontrabandën e njerëzve" tha zonja Kim.
Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi tha se në Kakavijë ka pasur investime për rritje të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, me përkrahjen e partnerëve tanë si qeveria e SHBA dhe BE. 
"Shqipëria renditet në vendet me ruajtjen me të lartë të kufijve dhe cilësi shërbimi të lartë. Me SHBA kemi një bashkëpunim të paktën 30-vjeçar dhe një nga fushat kryesore ka qenë edhe siguria, bashkëpunim që ka bërë të mundur që Shqipëria të eksportojë siguri edhe në botë, por edhe të jetë një vend me siguri të lartë" tha ministri i brendshëm shqiptar.
Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Sophia Philippidou, tha se "Pika kufitare e Kakavijës është një pikë e rëndësishme e bashkëpunimit mes dy vendeve për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës. Siguria ndërmjet dy shteteve do të forcohet edhe më shumë kur të ngrihet qendra për bashkëpunimin e Policisë dhe Doganave në pikën e kalimit kufitar".
Në Kakavijë u prezantuan dhe disa prej pajisjeve të dhuruara nga Qeveria e SHBA-së për Policinë e Shtetit në kuadër të Programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë së Kufirit. Disa ditë më parë edhe në Qafë Thanë u mbajt një ceremoni e ngjashme ku sërish USAID-i dhuroi pajisje që ndihmojnë në arritjen e standarde të larta përsa i përket procedurave kufitare e duke mundësuar një mjedis që ndihmon biznesin dhe kontrollin e sigurisë.