RTSH 24 Live

Kosova

SHBA: Transparencë të plotë aleatëve evropianë për bisedimet me Rusinë

29/12/2021

SHBA: Transparencë të plotë aleatëve evropianë për bisedimet me Rusinë

Qeveria amerikane u premtoi aleatëve të saj në Evropë transparencë dhe solidaritet në lidhje me bisedimet e planifikuara me Rusinë për të shqyrtuar tensionet mbi Ukrainën.

”Dialogu do të fokusohet në qëllime të ndërsjella”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ai theksoi se ”Uashingtoni do t’i përmbahet parimit ‘asgjë rreth tyre pa ata’ kur bëhet fjalë për çështjet që prekin aleatët e SHBA në Evropë”.

Megjithatë, Price theksoi se “dialogu strategjik mbi stabilitetin me Rusinë do të marrë një format dypalësh. Ne gjithmonë i kemi informuar plotësisht dhe tërësisht aleatët tanë pas takimeve të kaluara”, shtoi ai.

“Ne jemi të bashkuar si aleancë e NATO-s për pasojat me të cilat do të përballet Rusia nëse ajo shkon drejt Ukrainës, por ne jemi gjithashtu të bashkuar në vullnetin tonë për t’u angazhuar në diplomaci parimore me Rusinë”, theksoi zyrtari.

Përfaqësues nga SHBA dhe Rusia planifikojnë të takohen në Gjenevë më 10 janar për të diskutuar tensionet në Ukrainë dhe kërkesën e Moskës për garanci sigurie.

“Rusët e dinë shumë mirë se ka disa gjëra në ato propozime që do të jenë të papranueshme për SHBA dhe për aleatët tanë evropianë”, tha Price për garancitë e sigurisë./ DPA