RTSH 24 Live

Botë

SHBA: Irani nuk duhet t'i përgjigjet hakmarrjes së Izraelit! Zyrtarët amerikanë udhëtojnë drejt Lindjes së Mesme

31/10/2024

SHBA: Irani nuk duhet t'i përgjigjet hakmarrjes së Izraelit! Zyrtarët amerikanë udhëtojnë drejt Lindjes së Mesme

“Irani nuk duhet t'i kundërpërgjigjet sulmeve të Izraelit në territorin e tij”, kështu ka deklaruar zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

"Irani nuk duhet t'i përgjigjet hakmarrjes së Izraelit," tha Jean-Pierre, përpara se të shtonte se "nëse Irani zgjedh të përgjigjet, SHBA do të qëndrojë pranë për të ndihmuar Izraelin në mbrojtjen e tij".

Po ashtu, edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Methju (Matthew) Miller përsëriti se SHBA-të besojnë se Irani nuk duhet t’i përgjigjet sulmit.

 “Nuk do të flas për komunikimet mes dy qeverive tona, reale apo imagjinare. Por siç e kemi bërë të qartë publikisht dhe mund t'ju them se Irani e di qartë këtë mesazh, ata nuk duhet të vazhdojnë ta përshkallëzojnë këtë konflikt," tha ai në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Sakaq, Zyrtarë të lartë amerikanë po udhëtojnë drejt Lindjes së Mesme për të zgjidhur konfliktet në Gaza dhe Liban dhe për të penguar një përgjigje iraniane ndaj sulmeve të Izraelit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë Amos Hochstein dhe Brett McGurk do të jenë në Izrael këtë të enjte për diskutime rreth Libanit, Gazës, Iranit, pengjeve dhe "çështjeve të tjera rajonale.

Më vete, drejtori i CIA-s  Bill Burns  do të jetë në Kajro, ndërsa komandanti i CENTCOM Erik Kurilla po udhëton në rajon për të diskutuar mbrojtjen rajonale.

Vizitat pasojnë sulmet shkatërruese ajrore izraelite në Gaza dhe Liban këtë javë, duke përfshirë një sulm në Beit Lahiya të cilin Departamenti i Shtetit e konsideroi "të tmerrshëm".

/rtsh.al/