RTSH 24 Live

Kosova

SHBA e përmbajtur para bisedimeve me Rusinë, paralajmëron raporte të rreme

09/01/2022

SHBA e përmbajtur para bisedimeve me Rusinë, paralajmëron raporte të rreme

Qeveria amerikane ka kërkuar të frenohen pritshmëritë përpara bisedimeve me Moskën, që do të zhvillohen nesër, pasi ajo paralajmëron kundër dezinformacioneve nga pala ruse.

“Mund t’ju siguroj paraprakisht se nuk do të ketë angazhime të vendosura në këto bisedime, të cilat do të jenë serioze dhe konkrete, por me natyrë eksploruese”, tha një përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë.

”Të gjitha çështjet më pas do të shqyrtohen në Uashington dhe do të diskutohen me aleatët gjatë javës”, u tha zyrtari gazetarëve.

Ai paralajmëroi se mund të ketë raporte të rreme në median ruse mbi rezultatin e bisedimeve në “një përpjekje të qëllimshme për të krijuar ndarje midis aleatëve” dhe u kërkoi anëtarëve të medias “të mos bien në këtë provokim”.

Bisedimet, të cilat do të zhvillohen në Gjenevë, vijnë në mes të tensioneve të rritura midis Perëndimit dhe Rusisë për Ukrainën.

Përfaqësuesi i qeverisë amerikane tha se delegacionet ndoshta do të takohen për diskutime paraprake të dielën në mbrëmje përpara takimit të së hënës.

Delegacioni amerikan do të kryesohet nga zëvendëssekretarja e Shtetit, Wendy Sherman.

Një takim i Këshillit NATO-Rusi është planifikuar gjithashtu për të mërkurën në Bruksel – takimi i parë i tillë në dy vjet e gjysmë.

Kjo do të pasohet të enjten nga bisedimet në Vjenë në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

SHBA ka akuzuar Rusinë për shtimin e trupave në zonat në kufi me Ukrainën për javë të tëra, mes frikës se ushtarët rusë mund të pushtojnë ish-republikën sovjetike.

Rusia e mohon një plan të tillë.

Nga ana e saj, Moska është shprehur kundër pranimit të vendeve të tjera të Evropës Lindore në NATO dhe po kërkon garanci që Ukraina të mos bëhet kurrë anëtare e aleancës së mbrojtjes.