RTSH 24 Live

Kosovë

SHBA dhe ndërkombëtarët kanë dënuar veprimet e qeverisë së Kosovës, Osmani takon të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë  

27/05/2023

SHBA dhe ndërkombëtarët kanë dënuar veprimet e qeverisë së Kosovës, Osmani takon të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë  

Situata më e fundit në veri të Kosovës, ka qenë në epiqendër të një takimi që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar të shtunën me të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Sipas një njoftimi për shtyp, publikuar edhe në Facebook, presidenca e Kosovës bën të ditur se Osmani, në këtë takim, ka theksuar se veprimet kriminale në veri të Kosovës, të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të rinj të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat, sipas ligjit dhe Kushtetutës, si dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakuum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie.

Sipas saj, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të vendit në nëntor të vitit të kaluar dhe proceset demokratike e ligjore kanë vazhduar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.  

Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtar dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

“Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiçit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të funksionimit si shtet qytetar duke ruajtur karakterin multietnik të saj dhe institucioneve të saj.”,- bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Presidencës së Kosovës.

Deri tani 5 policë janë plagosur nga incidentet e djeshme në veri të Kosovës. SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar kanë dënuar veprimet e Qeverisë Kosovës.

/rtsh.al/