RTSH 24 Live

Rajon

SHBA: Bisedimet rruga e vetme për marrëveshje të qëndrueshme Kosovë-Serbi! Vuçiç: Kërkojmë paqen në rajon

23/05/2022

SHBA: Bisedimet rruga e vetme për marrëveshje të qëndrueshme Kosovë-Serbi! Vuçiç: Kërkojmë paqen në rajon
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe presidenti i Serbisë, Vuçiç

SHBA ka theksuar se bisedimet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes Serbisë dhe Kosovës. Këtë mesazh ka dhënë ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill gjatë një takimi me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Bisedimet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet e hapura, si dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme. Të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian” theksohet në njoftimin e presidencës serbe pas takimit Vuçiç-Hill.

Edhe presidenti Vuçiç tha se Serbia kërkon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se është nismëtare e disa projekteve që forcojnë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Përpjekjet tona kanë për qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Serbia është nismëtare e disa projekteve që lidhin në mënyrën më të mirë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Vuçiç.

Gjithashtu ambasadori Hill tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin evropian të Serbisë dhe shteteve të tjera të rajonit por edhe “nismën ‘Ballkani i Hapur’ dhe SHBA është e gatshme të ndihmojmë që kjo nismë të zhvillohet më shpejt”.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve më 2011. Deri më tani janë arritur mbi 30 marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.

/rtsh.al/