RTSH 24 Live

Botë

SHBA & BE: Talebanët t’i japin fund ofensivës ushtarake

19/07/2021

SHBA & BE: Talebanët t’i japin fund ofensivës ushtarake

Misionet diplomatike në Afganistan nga vendet e tjera,  përfshirë SHBA, u bënë thirrje militantëve talebanë që të përfundojnë urgjentisht ofensivën e tyre aktuale ushtarake në vend, në një deklaratë të përbashkët.

Deklarata, e nënshkruar ndër të tjera edhe nga delegacioni i BE-së në vend dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë Civil të NATO-s, thotë se ofensiva e vazhdueshme e talebanëve po shkakton viktima civile, shpërngulje të njerëzve dhe shkatërrim të infrastrukturës publike në të gjithë vendin.

“Ofensiva e talebanëve është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me pretendimin e tyre për të mbështetur një zgjidhje të negociuar të konfliktit dhe me procesin e paqes në Doha”, tha deklarata.

Deklarata dënoi gjithashtu “raportet e besueshme” të përpjekjeve për të goditur të drejtat e njeriut, të grave dhe vajzave dhe për të mbyllur organizatat publike dhe private të medias, në një përpjekje për të mbuluar shkeljet e tyre të të drejtave të njeriut dhe për të zvogëluar lirinë e shprehjes.

“Afganët kanë bërë shumë përparim gjatë 20 viteve të fundit dhe duan të vazhdojnë të ndërtojnë mbi arritjet e tyre në zhvillim, të drejtat e njeriut dhe lirinë e fjalës. Ne duam të theksojmë se progresi i bërë në vitet e fundit mund të mbështetet vetëm nëse të gjitha palët punojnë së bashku”, shkruhet në deklaratë.

Deklarata vjen një ditë pasi një delegacion i nivelit të lartë afgan përfundoi një takim dyditor me përfaqësuesit e talebanëve në Doha, Katar./ ATSH