RTSH 24 Live

Kosova

SHBA, 20 vjet nga sulmet terroriste

11/09/2021

SHBA, 20 vjet nga sulmet terroriste

Presidenti Joe Biden po përkujton 20 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit me vizita në secilin nga vendet ku u rrëzuan aeroplanët e rrëmbyer në vitin 2001, e në nderim të viktimave të sulmit tragjik.

Presidenti Biden e nisi ditën në Nju Jork, ku po merr pjesë në një ceremoni që nisi në orën 8:30 të mëngjesit me orën lokale, në vendin ku ngriheshin dikur kullat binjake të Qendrës Tregtare Botërore, përpara se të goditeshin nga dy aeroplanë të rrëmbyer.

Më pas ai do të udhëtojë për në Shanksvill të Pensilvanisë, ku një tjetër avion u rrëzua në një fushë pasi udhëtarët ia dolën të parandalonin rrëmbyesit të godisnin objektivin e parashikuar.

Më pas zoti Biden do të kthehet në Uashingtonit për të vizituar Pentagonin, simbolin e fuqisë ushtarake amerikane që u godit 20 vite më parë nga një tjetër aeroplan i rrëmbyer.

Përvjetori vjen menjëherë pas përfundimit të luftës së udhëhequr nga SHBA në Afganistan, e nisur rreth 20 vjet më parë për të çrrënjosur Al Kaedën, e cila kreu sulmet e 11 shtatorit.

Sulmet e 11 shtatorit 2001 ndodhën brenda një periudhe prej më pak se 102 minutash, duke shkaktuar vdekjen e 2,996 njerëzve në atë ditë. Ky është sulmi më i rëndë terrorist në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara.

Sulmet u pasuan nga lufta në Afganistan që zgjati gati 20 vjet, që sipas Departamentit të Mbrojtjes, shkaktoi vdekjen e të paktën 2,325 ushtarëve amerikanë. Askush nuk e di saktësisht se sa civilë u vranë në këtë luftë.

Më 11 shtator 2021, Presidenti Joe Biden do të përpiqet të reflektojë mbi këtë tragjedi të dyfishtë, duke bërë nderime në tre zonat ku ndodhën sulmet, të cilat nxitën luftën më të gjatë të Amerikës.

Lufta Globale kundër Terrorit, siç u quajt atëherë, u shtri përtej Afganistanit, duke arritur në Irak dhe cepa të tjerë të globit, përfshirë Afrikën. Në Irak, konflikti shkaktoi vrasjen e gati 4,500 ushtarëve amerikanë dhe qindra mijëra civilëve.

Që nga vendimi i debatueshëm për të tërhequr të gjithë trupat nga Afganistani deri në fund të gushtit, administrata e Presidentit Biden ka bërë lëvizje vendimtare për të lënë prapa 20 vitet e fundit, duke deklasifikuar një mori dokumentesh që mund të hedhin dritë mbi ngjarjet e 11 shtatorit dhe duke mbajtur një distancë nga qeveria e ashpër teokratike talebane, që mori pushtetin në Afganistan ndërsa amerikanët po tërhiqeshin.