RTSH 24 Live

Botë

Shatërvani “Trevi” do të jetë me pagesë - Vendimi vjen pasi janë regjistruar më shumë se 30 milionë turistë

3 orë para

Shatërvani “Trevi” do të jetë me pagesë - Vendimi vjen pasi janë regjistruar më shumë se 30 milionë turistë

Ideja për zbatimin e një "vizitës me pagesë" në shatërvanin ikonik Trevi që gjendet në kryeqytetin italian Romë, i njohur edhe si "Shatërvani i Dashurisë", me qëllim për të menaxhuar dendësinë turistike, ka ngjallur polemika.  Për shkak se zona rreth shatërvanit  është e ngushtë dhe njerëzit që dëshirojnë të bëjnë fotografi në shkallë shpesh shkaktojnë turma të dendura, ka çuar që Bashkia e Romës të konsiderojë një masë ndryshe.

Kryetari i Komisionit të Turizmit të Bashkisë së Romës Mariano Angelucci, i cili mbështet vendosjen e një sistemi biletash për shatërvanin historik, tregoi se vitin e kaluar ishte thyer një rekord me 30 milionë turistë të cilët vizituan objektin historik. Ai shtoi se ende nuk kanë caktuar ndonjë çmim, por tha se flitet një çmim prej rreth 1 deri 3 euro. Njerëzit që e vizitojnë shatërvanin shprehin një dëshirë duke hedhur monedha brenda tij.

Shatërvani është një nga vendet kryesore ku turistët parapëlqejnë të bëjnë fotografi ose bëjnë propozime martese para tij. Shatërvani i Trevit, i konsideruar si një shembull i arkitekturës së epokës së vonshme të barokut,  që gjendet pranë Pallatit Poli është ndërtuar  nga arkitekti italian Nicola Salvi, i cili fitoi konkursin e hapur nga Papa i atëhershëm Klementi i 12-të në vitin 1732.

/RTSH/