RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Shaqir Fetahu, kryetari i ri i Bashkësisë Islame në Maqedoninë e Veriut

19/11/2020

Shaqir Fetahu, kryetari i ri i Bashkësisë Islame në Maqedoninë e Veriut
Shaqir Fetahu

Bashkësia fetare Islame në Maqedoninë e Veriut (BFI) zgjodhi të mërkurën kryetarin e saj të ri. Ai është Shaqir Fetahu, i cili e kishte ushtruar këtë post që prej shkarkimit të tashmë ish-kryetarit Sulejman Rexhepi para pak muajsh.

Zoti Fetahu ka qenë për shumë vite myfti i Gostivarit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ish-kreut të Bashkësisë Islame, Rexhepi, i cili qe bërë objekt i një sërë skandalesh.

Kundërshtarët e kryetarit të ri vërejnë se zgjedhja nuk është bërë në mënyrë të rregullt për shkak se janë shkelur normat kushtetuese të kësaj bashkësie.

Ndërkohë, zoti Shaqir Fetahu u zgjodh me 18 vota nga një Këshill i njohur si “Rijaset” ku bëjnë pjesë të gjithë myftitë e qendrave (qyteteve) ku ka besimtarë myslimanë në Maqedoninë e Veriut dhe përfaqësues të disa institucioneve të tjera. Ai u shpreh para medias se do të angazhohet për ta vënë Bashkësinë Islame në rrugë të drejtë.

Dy kandidatë ishin në garë për kreun e institucionit më të lartë të komunitetit mysliman në vend. Krahas zotit Fetahu garonte dhe myftiu i Tetovës, Qani Nesmi, i cili mori tre vota nga anëtarët e këshillit.

Ky këshill shkarkoi Sulejman Rexhepin nga posti në muajin maj të këtij viti në bazë të Nenit 58 të Kushtetutës së BFI-së. Ky nen thotë, mes tjerash se kreu i komunitetit “mund të shkarkohet në rastet kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI-së; nëse punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI-së, apo nëse keqpërdor pozitën në dëm të interasave të BFI-së”.

Ish-kryetari i BFI-së Sulejman Rexhepi pat zgjuar mjaft vëmendje në publik pasi disa portale njoftuan se ai kishte tërhequr 1 milion euro nga llogaria bankare e BFI-së në një bankë të Shkupit. Por, zyra e tij i mohoi shkrimet duke bërë të ditur se bëhej fjalë jo për tërheqje, por për depozitim fondesh nga Ministria e Financave për një procedurë denacionalizimi dhe se shumat janë përdorur për pagesën e rrogave të të punësuarve në BFI. “Kjo ka ndodhur para një viti dhe jo tash, siç shkruajnë mediat”, nënvizonte zyra e zotit Sulejman Rexhepi.

Lajmi tjetër kishte të bënte me martesën e 74 vjeçarit Rexhepi në pranverë të këtij viti me një grua 25 vjeçare. Ai kishte humbur bashkëshorten katër vjet më parë.

Megjithatë, Këshilli i BFI-së nuk e bëri të qartë nëse motivet për shkarkimin e tij kishin të bëjnë me këto dy zhvillime.

Ish-kreu i BFI-së Rexhepi njihet për deklaratat kontraverse, teksa pas faljes së Bajramit të fundit në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, e shpalli “koronavirusin të vdekur” në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai më herët kishte kërcënuar më shumë se një herë pushtetin se do të pengonte besimtarët të dilnin për të votuar në zgjedhje politike.