RTSH 24 Live

Aktualitet

Sezoni turistik, Policia Rrugore thirrje drejtuesve të mjeteve: Zbatoni me rigorozitet rregullat e qarkullimit!

15/06/2024

Sezoni turistik, Policia Rrugore thirrje drejtuesve të mjeteve: Zbatoni me rigorozitet rregullat e qarkullimit!

Drejtoria e Policisë Rrugore njofton se shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, vijonë monitorimet intensive të qarkullimit rrugor në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane e rurale me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Monitorimet po kryhen nëpërmjet mjeteve inteligjente shpejtësimatëse, dronëve të cilësisë së lartë, e pajisjeve të tjera bashkëkohore që Policia Rrugore ka në dispozicion.

Njëkohësisht janë shtuar patrullat e lëvizshme, të mbështetura nga Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, pasi në të gjitha akset rrugore dhe qendrat urbane, por veçanërisht në zonat bregdetare, është shtuar maksimalisht fluksi i lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.

Policia Rrugore u bëri thirrje të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, për përdorim të rrugëve alternative.

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

/ rtsh.al /