RTSH 24 Live

Politikë

Sërish ‘JO’ nga BE, eurodeputetja holandeze: Rrezikojmë të humbasim Ballkanin Perëndimor

23/06/2022

Sërish ‘JO’ nga BE, eurodeputetja holandeze: Rrezikojmë të humbasim Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Europian duhet të gjejë një zgjidhje për Ballkanin Perëndimor pasi rrezikon t’i humbasë ata njerëz” kjo ishte kërkesa që eurodeputetja holandeze, Sophie In’t Veld ka bërë gjatë samitit të BE.

Eurodeputetja tha se e kupton zhgënjimin e rajonit, ndërsa shtoi se nuk mund të kërkosh nga këto vende  të reformohen, dhe pastaj të votosh për anëtarësimin e tyre një brez më vonë.

“E kuptoj dhe e ndaj zhgënjimin e vendeve të Ballkanit. BE e rrit rrezikun në këtë rajon nëse e lë mënjanë Ballkanin. Ne rrezikojmë që t’i humbasim këta njerëz, ne e shohim se Rusia dhe Kina atje e kanë një këmbë brenda dhe i ndikojnë zemrat dhe gjendjen e njerëzve. BE me vendet e Ballkanit Perëndimor të dakordohet për një plan realist veprimi brenda një kohe të përcaktuar. Nuk mund të kërkosh nga këto vende, që të reformohen, dhe pastaj të votosh për anëtarësimin e tyre një brez më vonë”, thotë eurodeputetja

Eurodeputetja tha që BE të ketë një integrim me faza, pa e ndryshuar procedurën. Sipas saj vendet e Ballkanit Perëndimor që i plotësojnë kriteret në fusha të caktuara të trajtohen si vende anëtare që mund të vlerë për fushën e transportit, energjisë apo shkencës.

Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën sërish një refuzim nga BE, ndërsa kryeministrat Edi Rama dhe Dimitar Kovacevski e cilësuan këtë “turp të BE që lejojnë që Bullgaria të marrë peng dy vende të NATO-s për integrimin”.  

/rtsh.al/