RTSH 24 Live

Kosova

Serbia tenton futjen e materialit zgjedhor në Kosovë, policia i ndalon në Merdarë

15/01/2022

Serbia tenton futjen e materialit zgjedhor në Kosovë, policia i ndalon në Merdarë

Katër shtetas serbë janë ndaluar pasi kanë tentuar të importojnë materiale zgjedhor në Kosovë për referendumin e ardhshëm në Serbi, i cili do të mbahet më 16 janar.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka njoftuar të premten në mbrëmje se në pikën kufitare Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndalur një zyrtar i Komisionit Republikan Zgjedhor. 

Marko Jankoviq, ishte i shoqëruar nga dy kamionë që transportonin material zgjedhor, lidhur me çka “ishte njoftuar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë”.

Mes tjerash në njoftim është thënë se Policia e Kosovës ka konfiskuar dy kamionët dhe ka arrestuar zyrtarin e Komisionit, si dhe vozitësit e kamionave.

Në njoftim është thënë edhe se zyrtari i Komisionit është dërguar "në drejtim të panjohur".

Lidhur me këtë çështje është thënë të jenë njoftuar edhe zyrtarë evropianë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte i obliguar që sonte të merrte përsipër materialin zgjedhor në përputhje me mandatin e saj në terren, por edhe gatishmërinë e shprehur për organizimin e referendumit, për të cilin jemi njoftuar me një letër të datës 22 dhjetor të vitit të kaluar. Mirëpo, sonte misioni i OSBE-së, jo vetëm që nuk ka marrë përsipër materialin e referendumit, por as nuk është paraqitur në Merdare, ku është dashur ta marrë materialin, siç është bërë çdo herë deri më tani në proceset e mëparshme zgjedhore”, përmendet në njoftim.

Sot do të mblidhet Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me referendumin serb.

Seanca do të fillojë në ora 14 dhe në rend të ditës është vetëm kjo pikë, pra, diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Institucionet e Kosovës kanë thënë të premten se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.