RTSH 24 Live

Rajon

Serbia nuk i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, Vuçiç: Po shohim interesin tonë! Botën e pret një dimër i ashpër

21/05/2022

Serbia nuk i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, Vuçiç: Po shohim interesin tonë! Botën e pret një dimër i ashpër
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka theksuar edhe njëherë se vendi i tij nuk do t’i bashkohet sanksioneve të BE kundër Rusisë.

Pas hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Bujqësisë në Novi Sad, ai tha se detyra e tij si president i Serbisë është të kujdeset për Serbinë dhe jo për BE-në dhe se po shikon se çfarë është në interes të vendit të tij.

Kanë qenë 25 deklarata, me nëntë jemi pajtuar dhe me 16 nuk jemi pajtuar. Kjo nuk është asgjë e re, ka një vit që po ndodh. Ne po shikojmë se çfarë është në interesin tonë, çfarë nuk do të ishte miqësore dhe korrekte”, tha presidenti i Serbisë.

Duke nënvizuar rëndësinë e një marrëdhënie të mirë me BE, Vuçiç shton se ai ka detyrimin të kujdeset që vendi të ketë furnizime të mjaftueshme me ushqim apo energji dhe se këtë gjë po e bën “më së miri” në një kohë ku, sipas tij, botën e pret një dimër i ashpër.

Është shumë e rëndësishme të kemi një marrëdhënie të mirë me BE-në dhe të jemi në rrugën evropiane, por tani detyra jonë është të kujdesemi për vendin tonë, të ofrojmë ushqim dhe energji të mjaftueshme, të kujdesemi për integritetin dhe Kushtetutën e vendit tonë. Mendoj se po e bëjmë në një mënyrë shumë, shumë të mirë. Një dimër shumë i ashpër e pret gjithë botën dhe njerëzit këtu nuk e shohin, sepse asgjë nuk mungon dhe kriza në thelb nuk ndihet. Nëse diçka nuk ndryshon në konfliktin në Evropën Lindore, pothuajse një e katërta e botës do të ketë nevojë për sasi elementare të ushqimit, gjë që do të krijojë probleme të reja”, tha Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Serbia është kritikuar nga BE për shkak se nuk i është bashkuar sanksioneve të vendosura nga Unioni kundër Rusisë, duke dënuar pushtimin e Ukrainës./ nova.rs

/rtsh.al/