RTSH 24 Live

Rajon

Serbët po fillojnë ta pëlqejnë gjithmonë e më shumë Shqipërinë

13/07/2021

Serbët po fillojnë ta pëlqejnë gjithmonë e më shumë Shqipërinë

Serbët po fillojnë ta pëlqejnë gjithmonë e më shumë Shqipërinë. Është trend sot në Serbi të zgjedhësh për pushime si destinacion Shqipërinë. E të dëgjosh aty fjalë të mira për mikpritjen shqiptare apo për shqiptarët si kolegë e miq të mirë. Gjatë ditëve të Exit Festival, që u zhvillua në Novi Sad të Serbisë, e ku mijëra të rinj që kanë ardhur janë nga të katër anët e Serbisë por edhe të botës, bën një provë: Iu thua që në fillim të intervistuarve se je shqiptare për të parë se si do të reagojnë. Dhe të befason mënyra se si ata të presin. 

"Unë jam serb. Kënaqësi t'ju takoj. S'kam qenë në Shqipëri por kam dëgjuar që keni det shumë të bukur dhe vajza të bukura e të mira".

"Plazhe të bukur, det të bukur, njerëz të mirë. Këto kam dëgjuar për ju".

"Unë s'njoh njeri nga Shqipëria, por babai im ka kolegë në Shqipëri dhe tregon se keni njerëz të mirë, të dashur. Ai ka përvojë të shkëlqyer me shqiptarët. është koha të harrojmë gjithë përvojat e hidhura e të ecim përpara".

"Jam serb. Kam miq në Shqipëri. S'kam kurrëgjë të keqe për të thënë për ta. është koha të jemi miq". 

"Ju keni bregdet shumë të bukur. Keni edhe konjak Skënderbeun. Kemi shumë miq atje. Kemi dëgjuar që keni bërë shumë zhvillime në shërbimet turistike krahasuar me vite më parë".

"Është bërë shumë popullore këtu Shqipëria. Më parë serbët shkonin në Turqi. Tani duan të vijnë në Shqipëri. Për plazhet e bukur, ushqimin, cmimet e mira, mikpritjen. 

"Çdo gjë të mirë kam dëgjuar për Shqipërinë. Keni turizëm shumë të mirë dhe njerëz shumë të mirë. Këtë verë ndoshta do të vij tek ju për të kaluar pushimet. Pse jo?!"